Kosovë

Haziri: Kurti kryeminstër e tradhtoi Kurtin opozitar

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka akuzuar kryeministrin Kurti, se ka shkaktuar marrëveshje të përkohshme dhe ka amnistuar Vuçiqin nga detyrimi për pranim de jure të Republikës së Kosovës.

Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “nga debati parlamentar kryeministri Kurti konfirmoi se për të është me rëndësi VV dhe jo Republika”.

“Sa për informatë, partia institucionale LDK është siguruar me Gjykatën Kushtetuese dhe letrën garantuese të ish të dërguarës së posaçme të BE-së për dialogun, Frederica Mogherinit, e cila ka garantuar sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës e duke detyruar Vuçiqin të nënshkruaj, por që Kurti s’po mundet”, ka shkruar Haziri, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se Kurti “ka shkaktuar marrëveshje të përkohshme dhe ka amnistuar Vuçiqin nga detyrimi për pranim de jure të Republikës së Kosovës, ndërkaq krekoset për njohje de fakto”.

“Kryeministri i VV-së nuk ka tradhtuar BE-në, ndoshta as Europën dhe as shqiptarët kudo që janë. Kurti ka tradhtuar besimtarët e majtë të VV-së, e ka tradhtuar vetëveten dhe do besimtarë që vetën e quajnë ‘guximtarë’, të cilët, po ashtu, kanë guxu me e tradhtu vetën e tyre, duke besuar që po ia bëjnë këtë LDK-së. LDK janë lojalista dhe mbeten institucionalista përjetë. Për ne, de fakto Pavarësia e Kosovës ka ndodhur me 2 korrik 1990! Të gjitha proceset pas saj janë procese për njohje de jure”.

Më tej ai i ka thënë Kurtit se “Je i vetmi që tradhtove kauzën tuaj, besimtarët tuaj të VV-së, partnerët tuaj azgana dhe veten tuaj. Albin Kurti kryeminstër e tradhtoi Albin Kurtin opozitar!”

“Mos na shit mjegull neve institucionalistëve që Serbisë më 12 qershor 1999 ia kemi treguar largimin pa kthim nga toka e Kosovës!”

Haziri ka thënë se “prej 17 shkurtit 2008 jemi sovranë në tokën tonë dhe të barabartë me familjet sovrane në botë”.

“Ka mbetur edhe pak punë që ju po zhagisni nga mosbashkëpunimi dhe mungesa e vizionit për një Kosove europiane e në NATO! Veç po na vononi, përndryshe kemi me mbërri aty me apo pa ty. Fati jonë është vendosur me 2 korrik!”, ka shkruar ai.