Kosovë

Hapja e urës së Ibrit, Stano: Kjo çështje të diskutohet në dialog

Zyrtarët e policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se së shpejti do të lejohet qarkullimi i automjeteve mbi urën e lumit Ibër. Policia e Kosovës ka thënë se çdo vendim të institucioneve në raport me hapjen e urës mbi lumin Ibër do ta zbatojnë. Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se çështja e hapjes së urës është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe se diskutimi dhe vendimet në lidhje me hapjen e saj për trafik duhet të ndodhë në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja palëve. Stano thotë se palët duhet të lëvizin përpara me implementimin e marrëveshjeve të mbetura pezull dhe të zbatojnë obligimet e marrëveshjeve të arritura në dialog.
“Ne jemi të interesuar të parandalojmë edhe një krizë tjetër, kemi pasur mjaftë të tilla tashmë dhe pak zgjidhje e hapa drejt deeskalimit. Në lidhje me pyetjen tuaj, për hapjen e urës në Mitrovicë, ajo ka qenë temë e dy marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, më 2015 e 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve për të ndërmjetësuar përgjatë viteve, kjo urë mbetet e mbyllur për trafik. Dhe përderisa kjo është çështje që i takon dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çfarëdo vendimi në lidhje me urën duhet të diskutohet dhe të bëhet në kuadër të dialogut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të dyja palëve, Kosovës e Serbisë.”, – deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Reagimi i zëdhënësit të BE-së, Stano, vjen pasi Kuvendi i komunës së Mitrovicës së Veriut, kërkoi që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.
“Vendimi është dashur të zbatohet, por sigurisht nga aspekti i sigurisë, bashkësia ndërkombëtare e ka ndaluar procesin. Për ne është shumë me rëndësi lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve.”, – theksoi kryesuesi i Kuvendit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.
Por, kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, sipas së cilës hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”. Lista Serbe, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.