Maqedoni

Hapet restorant “Illyria” në Sllupçan të Kumanovës, restoranti i parë i stilit Ilir në Maqedoni (Video)

“Gurë mbi gur bëhet kalaja”. Me këtë moto Zejni Haziri ka ndërtuar Kalanë Ilire në fshatin Sllupçan të Kumanovës, e cila para dy javëve veçmë është hapur si restorant dhe është mirëpritur nga myshterinjët e kësaj ane dhe më gjerë me emrin “Restorant Illyria”.
Sipas informatave të disponueshme, ky është restoranti i parë i ndërtuar në stilin Ilir në Maqedoninë e Veriut, edhe pse të ngjashëm prej më herët janë ndërtuar në qytete të Shqipërisë dhe Kosovës.

Për këtë arsye, gazetari i portalit Lideri.mk, Qerim Bajrami, ka zhvilluar një bisedë me pronarin e restorantit “Illyria”, Zejni Haziri, një gurbetçar nga Zvicra që ka vendosur të kthehet dhe të japë kontributin e tij në vendlindje.

“Në Zvicër kam jetuar dhe punuar 36 vite. Që nga sezoni i parë kur kam shkuar atje, më është paraqitur ëndërra që një ditë të kem një lokal timin në vendlindje. Jam I gëzuar që pas 36 viteve arrita ta realizoj këtë ndërr, për çka mbi të gjitha falënderoj dy djemt e mi pa ndihmën e të cilëve nuk do ia dilja”, shprehet pronari Haziri në fillim të bisedës me gazetarin tonë.

Karakteristikë e veçantë e restorantit ‘Illyria’ janë katër kullat Ilire, dy në hymje dhe dy në pjesën e pasme të restorantit. “Menuja jonë është me gatime tradicionale. Qëllimi im është që të kombinoj përvojën 36 vjeçare nga Zvicra me traditën e këtyre anëve. Shpresoj se me stafin do ta arrijmë qëllimin, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se na pret shumë punë”, thekson Haziri.

Ai shpreson se në bazë të kualitetit dhe shërbimit që e ofrojnë, por edhe në bazë të vendndodhjes, suksesi nuk do të mungon.
“Ekzistojnë të gjitha parakushtet që të arrijmë sukses. Kemi përreth aq shumë fshatra në komunën e Likovës, e kemi afër Kumanovën, por edhe Shkupin e rrethinën. Kemi afër edhe Gjilanin, sepse prej këtu deri në vendkalimin Bellanoc-Stançiq nuk ka më shumë se 10-15 minuta. Kemi afër edhe Presehëvn dhe rrethinën. Të gjithë janë të mirëseardhur në konakun tonë. Nga të gjitha këto anë që përmenda kanë filluar të vijnë mysafirë në restorantin tonë, por kemi edhe nga vende më të largëta të cilët i tërheq edhe menuja jonë me ushqime tradicionale, por edhe stili në të cilin është ndërtuar restoranti. Na pret shumë punë, por besoj se suksesi nuk do të mungojë”, thotë Haziri, duke premtuar edhe shumë risi dhe surpriza në të ardhmen./Lideri

Video në Link:https://www.facebook.com/share/v/9FtCtRNe6GXbewJo/?mibextid=WC7FNe