Rajon - Botë

Hamasi njofton se që nga 7 tetori janë vrarë katër liderë të grupit

Brigadat Kassam, krahu i armatosur i grupit palestinez Hamas, tha të dielën se 4 nga udhëheqësit e tij ushtarakë janë vrarë që nga 7 tetori, përfshirë Ahmed Al-Ghandour, anëtar i Këshillit Ushtarak dhe komandant i Brigadës Veriore, transmeton Anadolu.

“Brigadat Kassam vajtojnë një grup të udhëheqësve të saj heroikë, përkatësisht komandantin Ahmed Al-Gandhour, i njohur si Abu Anas, anëtar i Këshillit Ushtarak, komandant i Brigadës Veriore dhe udhëheqësit: Wael Rajab, Raafat Salman dhe Ayman Siam”, tha grupi në një deklaratë.

Brigadat theksuan gjithashtu “përkushtimin e tyre në rrugën e lirisë”.

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë liderët e Hamasit në sulmet ajrore në Gaza. Megjithatë, shumica e sulmeve izraelite rezultuan në viktima të rënda civile si dhe në shkatërrim masiv të infrastrukturës.

Pauza humanitare katër-ditore, e ndërmjetësuar nga Katari, hyri në fuqi të premten, duke ndalur përkohësisht sulmin e Izraelit në Rripin e Gazës. Në dy ditët e para të pauzës humanitare, Izraeli dhe Hamasi shkëmbyen 41 izraelitë dhe të huaj për 78 palestinezë në burgjet izraelite.

Izraeli filloi fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Që atëherë, të paktën 14.854 palestinezë janë vrarë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe mbi 4.000 gra. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.