Hafizi nga Likova, kryeimam në Zagreb dhe njeri i afërt me ish presidnetin boshnjak, Alija Izetbegoviq!
HFZ. AZIZ ALILI – KRYEIMAM I BASHKËSISË ISLAME NË KROACI DHE NJËRI NDËR RECITATORËT MË TË SHQUAR TË KUR’ANIT NË BOTË
“Pjesë nga dorëshkrimi im “Letra mbresëlënëse për mësuesit e mi””
Me mikun tim Hafiz Aziz Alili u takuam për herë të parë në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë. Ai ishte gojëmbël dhe shumë i sjellshëm me studentët dhe studentet e fakultetit, ndërkohë që në provime merrte nota të shkëlqyeshme në gjitha lëndët islame, shkencore dhe filozofike. Më pastaj i falja rregullisht namazet ditore në xhaminë e Gazi Husrev Beut ku ishte imam Hafiz Azizi. Ne, të gjithë studentët mburreshim me dy hafizët tanë të shquar: Hfz. Azizin dhe rahmetliun Hfz. Bajram Ajetin.
Hafiz Azizi lindi në vitin 1968 në Likovë të Kumanovës. Ai rrjedh nga një familje e devotshme muslimane me babain, gjyshin e stërgjyshin hoxhallarë e hafizë të njohur në Maqedoni.
Hfz. Azizi ia filloi kursit të hifzit nga mosha shtatë vjeçare dhe e përfundoi me sukses në moshën nëntë vjeçare e nëntë muaj te mualimi dhe muhafizi i shquar Hfz. Refik Ajeti. Në fshat e kryen shkollën fillore me sukses shembullor dhe shkon në Sarajevë ku e kryen me sukses të shkëlqyeshëm Medresenë e Gazi Husrev Beut. Më pastaj i ndjekë studimet në Fakultetin e Shkencave Islame, ku diplomon në temën “Zivot i djelo Hafiz Ibrahim Trebinjca”.
Në periudhën kohore 1984-1986 ka qenë muezin i Xhamisë së Gazi Husrev Beut, kurse në vitet 1989-1993 ka qenë imam i saj.
Me datë 01.01.1995 punësohet imam, hatib dhe mualim në Xhaminë e Mexhlisit të Zagrebit. Nga viti 1993 deri më 2008 ka qenë profesor i lëndëve: kiraet, fikh dhe tefsir në Medresenë “Dr. Ahmed Dmajloviç” në Zagreb.
Plotë tri dekada është Kryeimam në Bashkësinë Islame të Kroacisë.
Ndërkohë, ai në Mekkë, në Institutin “Erkam bin Erkam” të Haremi Sherifit i ka studjuar dhjetë kiraetet e Kur’anit famëlartë te Shejh Abduddaim Abdul Settir El-Magribi dhe e merr nga ai ixhazetnamenë (diplomën).
Përndryshe, Hafiz Aziz Alili është njëri ndër recitatorët me zërin më të bukur në Evropë dhe në botë në këndimin e Kur’anit fisnik. Ai ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare të Kur’anit në Mekkë, në Malajzi, Libi, Kairo të Egjiptit, Maroko, Turqi, në Bosnjë dhe në Kroaci.
Kryesorja ai është i vetmi hafiz nga Ballkani që është anëtar i komisioneve botërore për inspektimin e leximit të Kur’anit famëlartë, si në Turqi, Arabinë Saudite, Bangladesh, Egjipt, Rusi etj.
Njëkohësisht Hafiz Azizi është edhe njëri nga interpretuesit më shembullor të kasideve dhe ilahive islame. Deri më sot në këtë rrafsh ai ka publikuar 14 audio albume dhe 3 video kaseta me ilahi.
Krahas aktiviteteve dhe organizimeve të shumta fetare islame, Hafiz Azizi në fokus të punës së tij e ka detyrën sublime të mualimit dhe muhafizit me talebe. Deri më sot ai ka nxjerrë një numër të madh të hafizëve dhe hafizeve të reja.
Në punën e “ta’limit” i ndihmon shumë edhe bashkëshortja e tij, mualimja znj. Lamija Jukiq, veçanërisht me fëmijët femra si dhe gratë moshërritura.
Ata i kanë katër fëmijë: Aminën, Ahmedin, Alijun dhe Kerimin.
Ahmedi e ka kryer qysh i ri hifzin, mandej medresenë dhe Fakultetin e Shkencave Islame dhe punon në detyrën e imamit në një xhami të Lubljanës në Slloveni. Edhe ai i ndjekë me përkushtim të thellë gjurmët e babait të vet dhe interpreton shkëlqyeshëm suret kur’anore dhe kasidetë e ilahitë. Në shumë shfaqje e organizime islame merr pjesë bashk me babain e tij.
Hafiz Azizi bashkë me familjen e tij kanë dhënë një kontribut madhor dhe shumëdimensional në shkencat islame, në procesin edukativo-arsimor dhe përgjithësisht në rrafshin e da’ves islame (misionarizmit) në Kroaci, Slloveni, Bosnje, në Evropë dhe më gjerë në botë.
Dorën në zemër, edhe pse unë isha student i shkëlqyeshëm në Fakultetin e Shkencave Islame dhe merrja mësime nga profesorë të shquar, mësime të tërthorta kam marrë edhe nga Hafiz Azizi, veçanërisht në lëminë e kiraetit.
Lus All-llahun xh.sh. ta shpërblejë shumëfish djersën, punën dhe kontributin kapital të mikut e kolegut tim të shtrenjtë Hafiz Aziz Alili!
Me respekt dhe konsideratë të lartë:
Studenti i tërthortë: Zekerija Idrizi
Berlin/Shkup