Grubi: Unë i kërkova Albin Kurtit t’i bëj thirrje diasporës
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka përshëndetur thirrjen e liderit të Vetëvendosjes, z. Albin Kurti për mërgatën shqiptare të Maqedonisë së Veriut që ajo t’i përgjigjet procesit të regjistrimit që është duke u zhvilluar. Këto komente Grubi i ka bërë gjatë një interviste për emisionin Info Magazine të televizionit Klan Kosova.
Grubi gjithashtu ka thënë se qysh dje i ka shkruar për këtë çështje kryeministrit në ardhje z. Kurti dhe i vjen mirë që ai tashmë veç ka dal me thirrje për mërgatën shqiptare të RMV-së që jeton në perëndim.
“E përshëndes deklaratën e z. Albin Kurti, liderit të Vetëvendosjes. Jo më larg se dje, unë i shkruajta z. Kurti me një kërkesë për tu takuar ditën e nesërme, për arsye se kisha në agjendë që të takojë të gjithë liderët e partive politike dhe i njoftova për arsyen e takimit që ishte pikërisht nevoja e përfshirjes së kryetarëve të partive politike në Kosovë, liderëve të institucioneve që të na ndihmojnë me apele drejtuar diasporës-mërgatës për tu regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe më vjen mirë që gjatë këtij apeli të djeshëm dhe të kontakteve që kishin zyrat tona, zyra ime dhe zyrat e tij, tashmë ai vendosi që të del me këtë apel dhe të fton mërgatën. Është për tu përshëndetur një hap i tillë dhe gjatë ditës së nesërme do të takojë edhe liderë tjerë përfshirë këtu z. Abdixhiku, znj. Osmani, z. Hoxhaj, z. Haraldinaj, z. Limaj si dhe liderë të tjerë të shoqërisë kosovare në mënyrë shumë vëllazërore që të kërkojmë nga ata të përfshihen në procesin e regjistrimit me apele drejtuar mërgatës shqiptare të Maqedonisë së Veriut sepse e dini që mërgata e jonë, ajo e Kosovës por edhe e Shqipërisë funksionojnë bashkë dhe i bashkërendojnë aktivitetet në Evropë, SHBA dhe Australi.”
Zëvendëskryeministri i parë Grubi ka paralajmëruar se nesër do të qëndroj për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës dhe se do të takoj edhe liderët e tjerë atje dhe që shpreson që edhe ata t’i bashkëngjiten kësaj fushate që tashmë veç ka nisur z. Kurti e cila është përtej interesave partiake dhe ka të bëjë me çështje esenciale për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.