Maqedoni

Grubi për 9 Maj: Ne bëmë gjithçka, rradha është e Bashkimit Evropian

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ka marrë pjesë në eventin e organizuar për nderë të 9 Majit – Ditës së Evropës, me temë “Njëzetë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë:

Maqedonia e Veriut dhe rruga drejtë Bashkimit Evropian”. “9 Maji i sotëm na gjen në 20 vjetorin e marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe në 30 vjetorin e pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët. Dy momente këto të transformimit të thellë shoqërorë, sa të ndara, aq të ndërvarura, momente të një 9 maji nacional dhe rajonal. Pavarësimi me hamendje nga një sistem i njëmendësisë në sistem pluralist i përcjellur me trashëgimi të mendësisë së ish sistemit e pengoi transformimin e mirëfilltë për arsye të improvizimit dhe mungesës së guximit për një rrumbullakësim të plotë të një pavarësie të vërtet, të
barabartë për të gjithë. “Paqja në botë nuk mund të mbështetet pa përpjekje krijuese, në përpjesëtim me madhësinë e kërcënimit”. Këto janë fjalë të thëna në këtë datë në vitin 1950 nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Robert Schuman në fjalimin e tij historik, në gur themelin e krijimit e Bashkësive Evropiane dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është me të vërtetë krijimtaria jonë proporcionale për paqe, barazi dhe prosperitet për të gjithë. Paraardhësit tanë të fundit ishin një dekadë me vonesë në bërjen e kërcimit kuantik në përpjesëtim me madhësinë e kërcënimit të pabarazisë dhe ndarjeve, megjithatë u arrit nga udhëheqës të guximshëm dhe vizionarë që kthyen faqen e re të
pavarësisë sonë të katërt, pas asaj në vitin 1991, 1945 dhe 1903, dhe para së pestës në vitin 2020 me anëtarësimin në NATO dhe të gjithë së bashku në pritje të asaj finale me t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Grubi me këtë rast. Zëvendëskryeministri i parë Grubi, mes tjerave në fjalimin e tij ka thënë se Marrëveshja e Ohrit në thelbin e saj është një vlerë e Bashkimit Evropian dhe është e vetmja marrëveshje e paqes plotësisht e suksesshme, e garantuar nga BE, SHBA, NATO dhe OSBE, e cila është
zbatuar plotësisht në pjesën normative dhe ka kontribuar pa mëdyshje në ardhmërinë tonë evropiane.

“Nga perspektiva e sotme, shohim se sa absurde ishte ajo rezistencë, ato protesta, ato kërcënime, ajo frikë. Gjithmonë them se sa më besnik është shteti ndaj qytetarëve, aq më besnikë janë qytetarët ndaj shtetit. Shoqëria e barabartë, për të cilën shkruhet dhe në Marrëveshjen e Ohrit, kontriboi që unë ta ndjeja shtetin si timin dhe të betohem aq sa u betua kryeministri Zaev dhe presidenti Pendarovski për të mirën e atdheut tone të përbashkët, për ta ndjerë atë si timin. Marrëveshja e Ohrit në thelbin e saj është një vlerë e Bashkimit Evropian dhe është e vetmja marrëveshje e paqes plotësisht e suksesshme, e garantuar nga BE, SHBA, NATO dhe OSBE, e cila është zbatuar plotësisht në pjesën normative dhe ka kontribuar pa mëdyshje në ardhmërinë tonë evropiane. Prandaj, kjo zyrë, përmes shkëputjes nga trashëgimia dhe hapit të guximshëm drejt ndërtimit të themeleve të reja të një shoqërie po aq moderne, duke pranuar ndryshimet më tepër si një avantazh se sa pengesë, më kujton transformimin për të cilin ju flisja në fillim. Qytetarët tanë nuk kanë asgjë më shumë për të bërë, më shumë për të kontribuar, më shumë për të sakrifikuar për ëndrrën evropiane, sepse ne kemi bërë të gjitha kompromiset e nevojshme dhe të panevojshme, duke përfshirë edhe ato më absurde, për të merituar anëtarësimin në familjen evropiane, kështu që tani është radha e Bashkimit Evropian, tash në testim është guximi evropian, ne tash presim të njëjtin guxim nga udhëheqësit evropianë që ata kanë kërkuar nga ne në dy dekadat e fundit, nga Marrëveshja e Ohrit për ndryshimet kushtetuese, pa vonesë dhe pa arsyetim.

Ky vendim nuk është vetëm një vendim për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut por është gjithashtu një vendim për mbijetesën e ëndrrës dhe të ardhmes së Bashkimit Evropian”, ka theksuar mes tjerave në fjalimin e tij me këtë rast, Grubi.