Grubi “ncuk…” për Mexhitin! Me stilin e Ramës i “kundërpërgjigjet” bashkëpartiakut
Me “ncuk…”, në stil “alla-Rama” zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i përgjigjet bashkëpartiakut të tij në BDI, Izet Mexhitit, i cili thotë se si Grubi po ashtu edhe Osmani nuk e përfaqësojnë elektoratin integrist të Shkupit.
“Siç do të kishte thënë kryeministri Rama kur pyetet për pyetje të ngjashme për zhvillime politike, edhe unë e kam të njëjtën përgjigje: Ncncnc…”, u shpreh Grubi
TV21: Pse?
-Ncuq…
TV21: Nuk keni asnjë koment…
-Ncuq… Ncuq… Hiç asnjë!” përfundoi ai.
Ky stil përgjigjesh nuk është i panjohur për politikën shqiptare. Kryeministri shqiptar Edi Rama e përdor shpesh… Herën e fundit, kur nuk donte të fliste për Albin Kurtin.
Mos kundërpërgjigja e Grubit ndaj Mexhitit, mund të jetë edhe përpjekje e tij për të mos e thelluar ndasitë mes tij dhe nënkryetarit, por Mexhiti në vazhdimësi, që nga formimi i kësaj Qeverie, kërkon ndryshim të kuadrove të integristëve në eksekutiv, duke thënë se këta të tanishmit nuk mund ta përfaqësojnë më së miri partinë në Qeveri.
“Mendoj se z.Grubi dhe z.Osmani nuk janë ata që mund ta përfaqësojnë në mënyrë kredibile elektoratin e BDI-së në Shkup”, pat deklaruar Mexhiti për TV21.
Për dallim prej Grubit, ministri i jashtëm, Bujar Osmani, që po ashtu vjen nga radhët e BDI-së, ditë më parë nga ClickPlus në TV21 kishte kundërpërgjigje ndaj Mexhitit, si për punën në Qeveri po ashtu edhe ato në parti.
“Pa e komentuar, se nuk kam qëllim të komentoj qëndrime individuale, unë pikërisht mendoj të kundërtën. Unë mendoj që ekipi është një ndër më të koordinuarit, më efikas deri më tani në implementimin e programit. Unë nuk dua të nënvlerësoj mendimin e zotëriut. BDI ka 100 mijë votues që mund të kenë mendime të ndryshme, mirëpo kujtoj se punën po e bëjmë me sinqeritetin më të madh, me nderin më të madh”, u shpreh Osmani.
Në shkurt të këtij viti, për të qartësuar dallimet, integristët u mblodhën në selinë në Reçicë të Vogël, pas së cilës, kryetari Ahmeti doli dhe tha se janë shpjeguar dallimet “deri në atomin e fundit” dhe se “të gjitha gjërat parimisht janë të sqaruara dhe e gjithë puna është në binarë të duhur”, por edhe tani 3 muaj më pas, dallimet brenda BDI-së vazhdojnë!/TV21