Grubi: Mbetemi me LSDM edhe nëse shkon Zaevi
Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në një intervistë për programin 200 në Alsat që transmetohet sonte në 21:50 ka deklaruar se partia e tyre do të ngelet në Qeveri me LSDM-në, edhe nëse Zoran Zaev vendos që të tërhiqet zyrtarisht edhe nga posti i kryeministrit.
“Do ta respektojmë në përpikëri vullnetin e tyre, sepse është vendim sovran i Lidhjes Sociademokrate, por do të jetë vendim sovran edhe nëse propozojnë mandatar të ri në emër të Lidhjes Socialdemokrate, i cili do t’i prijë Qeverisë në vijim. Vlerësojmë që muajt ne vijim do të duhet të ketë pak tolerancë edhe nga ana e Lidhjes Socialdemokrate, në mënyrë që t’i rrumbullakojmë këto çështje që i përmendëm. Nuk besoj që do të ketë ndonjë ndryshim të madh, në veçanti në aspektin programor, sepse ai është harmonizuar për 4 vjet. Ne jemi në këtë koalicion, shpresojmë deri në vitin 2024, pa marrë parasysh, kush nesër do të jetë kryeministër”, ka deklaruar Grubi.