Maqedoni

Grubi: Dorëheqja e Zaev e përshpejtuar

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe
marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi sot ka pritur në takim
anëtarin e Bordit të Drejtorëve të Institutit Republikan Ndërkombëtar
(IRI), z. Olin Wettington.

Grubi dhe Wettington gjatë këtij takimi kanë diskutuar për situatën
politike në vend, me theks të veçantë zgjedhjet lokale të muajit tetor
dhe periudhën pas përfundimit të tyre.

Grubi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka nevojë për
stabilitet, qëndrueshmëri, parashikueshmëri, ndersa dorëheqja e
kryeministrit Zaev është e përshpejtuar.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi para anëtarit të Bordit të
Drejtorëve të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), z. Olin
Wettington theksoi se vendit i duhet qëndrueshmëri në politika përballë
krizës energjetike që pritet të prekë jo vetëm Maqedoninë e Veriut por
gjithë Europën, krizës shëndetësore dhe duke mos harruar vazhdimin e
bisedimeve me Bullgarinë, por edhe zbatimin me përpikmëri të
Marrëveshjes së Prespës.

Në fund të këtij takimi, Grubi ka falënderuar IRI-n amerikan që vazhdon
të jetë mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në
rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit në Bashkimin Europian.