BallinaMaqedoni

Greqia luftë në dy fronte, bllokim Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së

Athina zyrtare do të mbajë peng Tiranën dhe Shkupin në rrugën e tyre të integrimit nëse qeveritë në shtetet fqinj nuk reflektojnë. Ky ka qenë qëndrimi i fundit i kryeministrit Mitsotakis pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë bërë asnjë tërheqje në qëndrimin e tyre e para për rastin Beleri dhe Shkupi për shkeljen e Marrëveshjes së Prespës, raporton Klan.

Presidentja e re maqedonase Davkova dhe Kryeministri Rama me vizitën në Athinë kanë qenë në qendër të kritikave të kreut të qeverisë helene në një intervistë për mediat maqedonase.

“Vizita e Edi Ramës në Athinë ishte private, ashtu si fjalimet parazgjedhore që ai ka planifikuar tashmë në shtete të tjera, në funksion të zgjedhjeve në Shqipëri. Qeveria ime nuk kishte arsye që ta ndalonte. Thjesht sepse Republika Helene nuk kishte pse të frikësohej nga një ngjarje e tillë. Kjo konstatim i vetëkuptueshëm, natyrisht, nuk i pengoi populistët e njohur dhe të ashtuquajturit patriotë që të na drejtonin gishtin, duke kërkuar verbërisht që ta ndalonim atë, pa na shpjeguar sigurisht se si dhe pse.”

“Çështjet në marrëdhëniet greko-shqiptare sigurisht që mbeten. Kryeministri i Shqipërisë nuk mund të anashkalojë kushtet për anëtarësimin e vendit të tij në BE. Së pari, u shkel respektimi i shtetit ligjor, i cili është i parashikuar në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian. Do të jem i qartë: me paraburgimin e paligjshëm të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, tashmë kandidat i ND-së për Parlamentin Evropian, Fredis Beleris, Shqipëria ka shkelur të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Prandaj, kjo nuk është vetëm një çështje dypalëshe, por kryesisht një çështje evropiane. Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave themelore të minoritetit grek, kalon në mënyrë të pashmangshme nga vendi ynë.”

Mitsotakis po ashtu shprehet se Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut në tekstin zyrtar të betimit të saj ka përdorur një emër të ndryshëm për shtetin e saj ndryshe nga ai i përcaktuar me Kushtetutë. Pra sipas kryeministrit grek nuk ka shkelur vetëm Marrëveshjen e Prespës, por edhe kushtetutën e atdheut të saj.

Edhe kursi evropian i Shkupit në vijim sipas kreut të qeverisë greke varet nga respektimi i ndershëm i marrëveshjeve me Greqinë.

Ndryshe, reagime për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit, nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s. Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe nënsekretarja për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie me Publikun në Departamentin Amerikan të Shtetit, Elizabeth Allen, duke thënë se SHBA-të e mbështesin Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe se janë të zhgënjyer që presidentja Gordana Siljanovska-Davkova nuk e ka përdorur emrin kushtetues.