Maqedoni

Gostivar, 170 shkurorëzime për nëntë muaj

Gostivari këtë vit pati shumë martesa të cilat u kurorëzuan me dasma, por njëkohësisht shumë çifte i dhanë fund jetesës bashkëshortore. Sipas statistikave të Qendrës për Punë dhe Politikë Sociale, janë rreth 170 çifte që janë shkurorëzuar në nëntë mujorin e parë të këtij viti apo nga 18 në çdo muaj.

Psikologu, Azbi Shaqiri, i cili drejton sektorin profesional në këtë qendër, sqaron se mesin e çifteve që nuk e durojnë njëri-tjetrin ka bashkëshortë edhe me fëmijë.

“Gjatë verës u lejuan dasmat dhe numri i kurorëzimeve ishte i lartë kjo pasi vitin e kaluar nuk kishte mundësi të organizohen këto celebrime, por fatkeqësisht kemi pasur edhe numër të lartë të shkurorëzimeve. Deri tani në qendrën tonë janë paraqitur diku 160 – 170 kërkesa për shkurorëzim nga ana e gjykatës dhe fatkeqësisht ka edhe bashkëshortë të cilët kanë fëmijë. Ata që nuk kanë fëmijë, shkurorëzohen drejtpërdrejtë në gjyq, nuk ka nevojë për të kaluar në filtrat e Qendrës Sociale. Numri më i lartë i shkurorëzimeve është te çiftet që nuk kanë fëmijë. Fatkeqësisht është fenomen në rritje në vendin tonë dhe nëse futemi te aryest mund t’i gjejmë shumë”.

Nëse në të kaluarën ka pasur shkurorëzime fiktive për të rregulluar njëri nga bashkëshortët dokumentacion për punë në vendet perendimore, sot ndarjet janë reale. Shkaqet kryesore mbeten ato ekonomike.

“Në të kaluarën, besoj diku pesë – gjashtë vite më herët, ka pasur çifte që janë ndarë për arsye të dokumentacionit, kishim shumë shkurorëzime por përqindje e bukur e tyre ndaheshin për të rregulluar dokumentacionin. Tani janë shkurorëzime reale, sidomos kohën e fundit dhe çështja ekonomike është faktorë determinues që vijnë deri te këto shkurorëzime”.

Pranë Qendrës Sociale në Gostivar ekziston këshillimore për jetën në çifte, por ajo frekuentohet shumë pak ose kur çiftet kanë vendim gjyqësor për ndarje.

“Në qendrën tonë këtu në Gostivar ekziston këshillimore për jetën në çift, bashkëshortët. Është funksionale për të dhënë këshilla, mirëpo fatkeqësisht frekuentohet shumë pak ose frekunetohet në momente kur situata ka eskaluar dhe ne si qendër dhe këshillimorja nuk mund të ndihmojë në atë faze kur ata paraqiten te ne, pasi paraqiten me vendim gjyqi që ne vetëm të kryejmë procedurat tona ose kur ata shkojnë në polici pasi ka pasur dhunë familjare dhe pastaj policia i dërgon te ne. Por, në ato momente më shumë është formale sesa reale. U bëj apel çifteve që kanë probleme të vijnë te ne sa më herët pasi kemi punëtorë profesional, psikolog, punëtorë social që mund të ju ndihmojnë dhe besoj mund të shpëtojnë një familje”.

Shaqiri beson se duhet një edukim më i hershëm i cili do të fillonte që në shkollë fillore që gjeneratat e reja të përgatiten më mirë me sfidat që i presion kur rriten, sidomos kur futen në jetesë bashkëshortore.