BOTA

Gjykata Nderkombëtare e Drejtësisë Izraelit: Ndalo sulmet në Rafah

Izraeli ka vazhduar të bombardojë Rripin e Gazës, përfshirë edhe qytetin Rafah, një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi që të ndalë operacionet ushtarake në qytetin më jugor të enklavës dhe të ndërmarrë masat e nevojshme që të adresojë krizën humanitare në mbarë rajonin. Mirëpo, Izraeli nuk ka sinjalizuar se vendimi i GJND-së ka ndikuar në planet e tij, duke vazhduar sulmet. Hezbollah akuzon Tel Aviv-in se është përgjigjur me sulmet më të ashpra ajrore ndonjëherë në qytetin jugor. Ai paralajmëroi Netanyahun të presë surpriza.
“Do të ishte e drejtë që Gjykata të kërkojë ndalimin e plotësishëm të luftës në Gaza dhe jo vetem të ofenzivës në Rafa. Dhe çka bëri armiku pas publikimit të vendimit, i filloi sulmet e mëdha ajrore në Rafah. Ky është Izraeli. Nëse Netanjahu insiston në luftë, atëherë të mos flasë për surpriza, le të pres ti shohë surprizat dhe rezistencën tonë.”, tha lideri i Hezbollahut, Hasan Hasrallah.
Edhe pse vendimet e gjykatës janë ligjërisht të obligueshme, kjo gjykatë nuk ka mekanizma për t’i zbatuar ato. Kërkojnë të lejohet qasje për ndihmat humanitare ndërsa Hamasi të liron pengjet.
“E vetmja mënyrë se si gjërat do të bëhen më të lehta për të është nëse shohim përfundimin e veprimeve ushtarake, shohim një armëpushim humanitar, krijimin e një mjedisi ku mund të kemi qasje të pakufizuar humanitar dhe gjatë të cilit të gjithë pengjet mund të lirohen.”, tha Stefan Dujarric, zëdhënës i OKB-së.
Pas intensifikimit të sulmeve izraelite qindra palestinezë u detyruan të largohen nga kampi i refugjatëve në Jabalia.
“Ne jemi të uritur dhe të etur, pa strehë. Nuk kemi çfarë të hamë. Ata na goditën atje dhe ne u detyruam të iknim.”, tha Umm Mahmoud, palestineze e zhvendosur.
Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti ranë dakord të dërgojnë ndihmë të përkohshme humanitare dhe karburant në OKB përmes vendkalimit izraelit Kerem Shalom derisa të krijohen mekanizma ligjorë për të hapur kalimin Rafah. Shefi i diplomacisë evropiane, Borrell, tha se pas vendimit të gjykatës në Hagë, BE-ja do të duhet të zgjedhë nëse do të mbështesë institucionet dhe shtetin e së drejtës apo Izraelin. Situata në Lindjen e Mesme është gjithashtu temë bisede në Pallatin Elysee në Paris. Presidenti Macron pati një takim me anëtarët e grupit arab. Negociatat për një armëpushim në Gaza pritet të rifillojnë së shpejti.