Gjykata Kushtetuese ka hapur 15 lëndë me iniciativë të saj, në fokus puna e disa komunave
Gjykata Kushtetuese sot do të mbajë seancën e 10-të në të cilën është paraparë të diskutohen 15 lëndë të cilat Gjykata i ka formuar me iniciativë të saj, ndërsa i referohen dispozitave të rregullores për punën e 15 komunave.
Siç informojnë nga Kushtetuesja, këto lëndë i kanë formuar për shkak të indikacioneve se komunat dolën jashtë kompetencave të tyre duke i dhënë mundësinë Këshillave që të japin interpretim autentik të vendimeve që marrin vetë.
“Para Gjykatës do të diskutohen dispozitat nga rregullorja për punën e komunave të Krushevës, Pllasnicës, Kriva Pallankës, Gostivarit, Kërçovës, Kavadarit, Strumicës, Bogdancit, Bogovinës, Zhelinës, Haraçinës, Debërcës, komunës Konçe, Petrovecit, Sarajit”, thuhet në kumtesën e Kushtetueses.
Është paraparë votim dhe konsultim për gjashtë lëndë, gjegjësisht marrjen e vendimeve përfundimtare për rastet që Gjykata i ka diskutuar tashmë.