September 28, 2024
BallinaMaqedoni

Gjykata Kushtetuese ende pa kryetar! Edhe sot dështoi përpjekja për pasardhësin e Kacarskës

Përsëri dështoi përpjekja për përzgjedhjen e kryetarit të Gjykatës kushtetuese. Dje dështuan 4 përpjekje, ndërsa sot u hodh në votim 2 herë, edhe sërish nuk u arritën votat për të zgjedhur pasardhësin e Dobrilla Kacarskës.  Nga gjykata kushtetuese me kumtesë të shkurtër shpjeguan se votimi do të vazhdojë të hënën.

“Sot vazhdoi procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Dy herë gjykatësit votuan për kandidatët e propozuar, pas çka asnjëri nga kandidatët nuk e mori shumicën e nevojshme. Me pajtueshmëri mes të gjithë gjykatësve u dakordua që seanca të vazhdojë më 3 qershor. Mandati i kryetares Dobrilla Kacarska skadon më 2 qershor të vitit 2024”, thonë nga Gjykata Kushteteuse.

Gjatë ditës së djeshme kishte 4 përpjekje të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të Gj. Kushtetuese, ndërsa gjykatësit votuan për dy kandidatet, gjykatësen kushtetuese Tatjana Vasiq-Bozaxhieva dhe Ana Pavllovska-Daneva. Gjatë votimit të djeshëm votat ishin të ndara 5 me 4, por për zgjedhje nevojitet shumicë e 2/3 përkatësisht më së paku 6 nga 9 gjykatësit aktual duhet të votojnë për njërën prej kandidateve. Siç është paraparë rivotimi zhvillohet derisa nuk zgjidhet kryetari i ri. Kryetarja Kacarska këto ditë deklaroi se pret nga kryetari i ardhshëm i Gj. Kushtetuese që të vazhdojë të kryej punën në mënyrë të përgjegjshme dhe të veprojë për të gjitha lëndët pa marrë parasysh se nga vjen nisma.