Lajmet e reja

Gjykata ia ndalon Shtëpisë së Bardhë shkarkimin e punëtorëve të pavaksinuar për arsye fetare

Një gjykatë distrikti në Uashginton D.C. ka lëshuar një urdhëresë të përkohshme që e ndalon shkarkimin e paditësve civilë e ushtarakë, të cilët e kanë paditur administratën e Bidenit për të kërkuar përjashtime religjioze ndaj vaksinimit për Covid-19.

“Asnjëri nga punëtorët civilë paditës nuk mund të jetë subjekt i masës disiplinore përderisa kërkesa e tij për përjashtim për arsye religjioze është në pritje”, urdhëroi gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, shkruan Fox News.

Gjykatësja gjithashtu vendosi që “paditësit aktiv në detyrë ushtarake, kërkesat për përjashtim për arsye fetare të të cilëve janë refuzuar, nuk do të jenë nën masa disiplinore as nuk do të ndahen gjatë kohës së pritjes së ankesave të tyre.”

Gjykata i urdhëroi të pandehurit në administratën e Bidenit që të dorëzojnë një njoftim shtesë deri të premten në mesditë për të treguar nëse ata pajtohen që ndaj asnjë paditësi nuk do të merren masa disiplinore ose nuk do të shkarkohen gjatë pritjes së vendimit të gjykatës.

Njëzet persona i paditën Presidentin Biden dhe pjesëtarët e administratës së tij nën petkun zyrtar për urdhrin ekzekutiv të presidentit, të lëshuar më 9 shtator, për obligueshmërinë e vaksinimit për punëtorët federalë.

Kjo padi është më e reja kundër administratës amerikane në kohën e pretendimeve se masa për vaksinim të detyrueshëm është jokushtetuese.

Urdhri i gjykatës erdhi në ditën e njëjtë kur guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, njoftoi se shteti që ai e udhëheq ka paraqitur një padi kundër administratës së Bidenit rreth masës së vaksinimit të detyrueshëm për kontraktorët federalë.