Kosovë

Gjithçka rreth sulmit të ekipit të Klan Kosovës në veri (VIDEO)

Një ekip i Klan Kosovës sot rreth orës 13:20 u sulmua me gurë nga një grup personash të maskuar në pjesën veriore të Kosovës, me ç’rast lëndime pësuan gazetarja Qëndresa Bellagoshi dhe shoferi Elsad Sinani.

Sulmi ndodhi në Zupç, afër barrikadës serbe në këtë pjesë të Zubin Potokut, derisa ekipi i përbërë prej katër personash ishin në veturën zyrtare të televizionit.

Të lënduarit u trajtuan në spitalin rajonal të Mitrovicës, ndërsa rasti u raportua edhe në Policinë e Kosovës.

Por, si ndodhi sulmi? Tregon gazetari Drin Demiri, i cili ishte pjesë e ekipit.

“Jemi afruar rreth 30 metra nga barrikada e parë. I kemi parë tre persona të cilët ishin duke ecur skaj rrugës dhe në momentin kur e kanë parë ekipin e televizionit, ata janë ndalur në vend. Ne kemi vazhduar edhe pak duke marrë pamje nga barrikadat që nuk ka zgjatur më shumë sesa tre minuta dhe i kemi parë ata persona që kanë ndaluar edhe kanë vendosur shalle në fytyrat e tyre dhe kanë marrë gurë nga toka dhe posa ekipi i Klanit është kthyer rrugës për në Mitrovicë, ata kanë gjuajtur veturën me gurë”, tha Demiri.

Ky është rasti i dytë që një ekip i Klan Kosovës sulmohet në veri.

Ndaj ekipit të Klanit pati sulm edhe më 19 dhjetor, njofton Klankosova.tv


17:42 – Hovenieri dënon sulmin ndaj Klan Kosovës në veri

Gjatë ditës së sotme, në Zupç të Zubin Potokut është sulmuar ekipi i Klan Kosovës, me ç’rast gazetarja Qëndresa Bellagoshi dhe shoferi Elsad Sinani kanë pësuar lëndime trupore.

Për këtë sulm ka reaguar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“SHBA-ja i bashkohet Asociacionit t Gazetarëve të Kosovës – AGK dhe Bashkimit Evropian në Kosovë për të dënuar fuqishëm sulmin e fundit në seri kundër gazetarëve të Kosovës. Mediat duhet të jenë në gjendje të punojnë lirshëm nga kërcënimet me dhunë dhe frikësim. Gazetaria e lirë dhe e pavarur është gurthemel i demokracisë”, ka thënë Hovenier.


15:28 – BE-ja dënon sulmin në veri ndaj ekipit të Klan Kosovës: Siguria e tyre s’duhet të rrezikohet

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ndaj sulmit që i është bërë ekipit të Klan Kosovës në Zupç të Zubin Potokut.

Përmes një reagimi në Twitter, kjo zyrë ka dënuar sulmin, duke iu uruar shërim të shpejtë, gazetares dhe shoferit të lënduar, njofton Klankosova.tv.

“Ne BE-ja dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm ndaj Klan Kosovës dhe iu urojmë shërim të shpejtë. Ky dhe incidentet e mëparshme që prekim punën e mediave, janë të papranueshme. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë. Siguria e tyre nuk duhet të rrezikohet”, thuhet tutje në reagimin e tyre.


16:08 – Ambasada e Italisë solidarizohet me ekipin e Klan Kosovës: Nuk ka asnjë justifikim për dhunën

Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar pas sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës në Zupç të Zubin Potokut, ku ka shprehur solidaritet për këtë televizion.

Kjo ambasadë, përmes një postimi në Twitter, tha se dhuna nuk justifikohet.

“Nuk ka asnjë justifikim për dhunën. Synimi i gazetarëve është edhe më i egër. Solidariteti ynë për ekipin e Televizionin Klan Kosova dhe të gjithë gazetarëve në terren për punën e tyre themelore”, ka shkruar Ambasada e Italisë në Twitter.


14:49 – AGK: Ndërkombëtarët të garantojnë sigurinë fizike të gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas rastit të sulmit ndaj gazetarëve të Klan Kosovës, të cilët u sulmuan me gurë derisa po raportonin nga veriu.

AGK-ja tutje në reagim thekson se sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri.

“Në një trend alarmues, AGK-ja është njoftuar sot për një tjetër sulm të rëndë kundër gazetarëve që po raportojnë nga veriu i vendit.

Persona të maskuar e kanë sulmuar ekipin e Klan Kosovës në Zubin Potok.

Ekipi i përbërë nga gazetarët Qëndresa Bellagoshi, Drin Demiri, kameramani Agon Bejtullahu dhe shoferi Elsad Sinani, janë sulmuar sot në fshatin Zupç. Gazetarja Bellagoshi dhe shoferi Sinani kanë marrë trajtim mjekësor, pasi që xhamat e veturës së thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë. Teksa, Demiri dhe Bejtullahu kanë shpëtuar pa lëndime. Për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës Sulmet e vazhdueshme përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri”.

AGK-ja ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të luajnë rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, që “vazhdojnë të jenë cak i sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar”.


16:08 – Policia po e heton rastin e sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht mbi sulmin e sotëm në fshatin Zupç të Zubin Potokut ndaj ekipit të Klan Kosovës nga persona të dyshuar.

“Sulmi ndaj tyre dyshohet se është kryer nga disa persona të maskuar, të cilët me mjete të forta (gurë) kanë sulmuar automjetin e mediumit dhe gazetarët të cilët ishin në detyrë”.

“Si pasojë e sulmit, vetura ka pësuar dëme materiale, përderisa dy nga personat/gazetarët e mediumit kanë pësuar lëndime dhe kanë kërkuar trajtim mjekësor”.

“Lidhur me rastin Policia e Kosovës, po kryen hetime me qëllim të zbardhjes së rastit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar”, ka thënë Policia në njoftim.


Sulmi ndaj ekipit të Klanit në veri, Lushaku-Sadriu: Të mos tolerohen sulmet ndaj gazetarëve

Kryetarja e Forumit të Gruas së Lidhjes Demokratike të Kosovës Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas sulmit ndaj ekipit të Klan Kosovës në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ku u lënduan gazetarja Qëndresa Bellagoshi dhe vozitësi Elsad Sinani.

Lushaku-Sadriu tha se sulmet ndaj gazetarëve në veri janë tepër shqetësuese.

Ajo i ftoi organet e sigurisë që personat përgjegjës të kapen nga organet e drejtësisë.

“Të mos tolerohen e normalizohen sulmet ndaj gazetarëve në komunat e veriut të vendit. Shërim sa më të shpejtë gazetarëve të Klan Kosovës”, tha e para e Forumit të Gruas së LDK-së përcjell Klankosova.tv


16:48 – Sulmi ndaj Klan Kosovës në veri, OSBE: Sulmet ndaj gazetarëve, të papranueshme

Për sulmin e sotëm ndaj ekipit të Klan Kosovës ka reaguar edhe misioni i OSBE-së në Kosovë.

Aty thuhet se “këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndërpriten menjëherë”.

“Dënojmë fuqishëm sulmin ndaj ekipit të Klan Kosovës sot në Zubin Potok. Ky është sulmi i katërt ndaj profesionistëve të mediave, që po raportojnë nga veriu i Kosovës, që nga fillimi i dhjetorit. Këto sulme janë të papranueshme dhe duhet të ndërpriten menjëherë”.

“Siguria e gazetarëve në kryerjen e detyrave të tyre profesionale duhet të mbrohet në çdo kohë. U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga aktet e dhunës”, tha OSBE-ja, misioni në Kosovë.


17:51 – Sulmi ndaj ekipit të Klan Kosovës në veri, Pacolli: Thellësisht i shqetësuar

Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj sulmit që iu bë sot me gurë nga persona të maskuar në veri ekipit të Klan Kosovës, ky dy persona mbetën të lënduar.

“Thellësisht i shqetësuar dhe dënoj me format më të ashpra sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës nga bandat kriminale të paligjshme dhe të armatosura të kontrolluara nga serbët. Shohim një mjedis të përkeqësuar për sigurinë e gazetarëve dhe kërkojmë që autoritetet përgjegjëse të mbajnë përgjegjësi”, tha Pacolli në një postim në Twitter. /Klankosova.tv