Maqedoni

Gjimnazi i Tetovës pa energji elektrike – Drejtoresha fajëson Komunën, Komuna ministrinë

Gjimnazi Kirill Pejçinoviq në Tetovë, sërish pa energji elektrike. Shkak për këtë është mos lëshimi në kohë i bllok dotacioneve nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe shkencës për pagesat e faturave ndaj EVN-së, shkruan Alsat.

Drejtoresha e kthyer në detyrë nga ana e Ministrisë së Arsimit Teuta Llalla thotë se fajin për këtë gjendje e ka Komuna e jo Ministria e Arsimit.

Ajo madje kërkon masa më të rrepta ndaj Komunës.

“Vazhdojnë mjetet të jenë në komunën e Tetovës. Nuk di ç’të them më shumë, por lus Zotin që apeli im të mbërrijë në veshët e kryetarit të komunës që të mos tallet më shumë me institucionet arsimore, konkretisht me shkollat. Mjetet janë të dedikuara në komunën e Tetovës. Nuk është gjetur ndonjë gjuhë e përbashkët, edhe pse deri në marrjen e kompetencave Ministria la hapësirë që të ketë mirëkuptim nga kryetari i komunës por si duket do duhet të shkohet me masa më të rrepta”, tha Teuta Llalla, drejtoreshë e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”.

Komuna e Tetovës hodhi poshtë pohimet e drejtoreshës Llalla duke thënë se nuk kanë më ingerenca për gjimnazin sepse Ministria e Arsimit ia mori ato për të dytën herë tre muaj më parë.

“Të jemi të sinqertë më datë 19 korrik të këtij viti, me një aktvendim të Ministrisë së Arsimit dhe shkencës, kreut të komunës iu morën ingerencat e përgjithshme dhe në këtë rast ne si komunë nuk kemi aspak qasje në këtë problematikë që ka gjimnazi. Ministria e Arsimit dhe shkencës duhet ti lëshojë bllok dotacionet që gjimnazi të bëj pagesat dhe të kyçet në energji elektrike. Aspak ska të bëj me ne. Ka tre muaj që gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” është nën menaxhim të ministrisë së Arsimit dhe shkencës. Ne si komunë kemi në menaxhim katër shkolla të mesme dhe për do ne përgjigjemi nëse ka probleme”, theksoi Validin Ademi, sektori për arsim komuna e Tetovës.

Pos komunës, edhe ministri i arsimit, të cilin e mbron Llalla, e demanton drejtoreshën. Jeton Shaqiri thotë se ndërprerja e rrymës ndodh si pasojë e borxhit të akumuluar më herrët e të cilin, Ministria po mundohet ta shlyej.

“Unë si ministër në marrjen e dytë të ingerencave, i kam marrë gjitha ingerencat edhe të emërimit por edhe mundësitë buxhetore që komuna i ka pasur mbi gjimnazin. Ne vazhdojmë dhe i paguajmë faturat, por e kemi borxhin e mbetur që duhet ta servisojmë dhe për këtë borxh mjetet nga ana e ministrisë janë hedh në buxhetin e komunës së Tetovës. Për mos ta lënë të vuaj gjimnazi unë si ministër kam vazhduar dhe sot dhe kemi servisuar një pjesë faturash sepse ne mund të paguajmë vec shpenzimet e muajit aktual apo paraprak dhe çdo muaj mbulojmë nga një borxh të mbetur që e ka pasur për obligim ta paguaj komuna”, tha Jeton Shqiri, ministër i arsimit.

E gjithë përplasja dhe problemet më gjimnazin e Tetovës, filluan vit më parë, kur komuna e Tetovës akuzoi drejtoreshën Llalla për keqpërdorime në këtë institucion.

Komuna e shkarkoi Llalën por Ministria e Arsimit ia mori ingerencat Kasamit për një vit, ndërsa tre muaj më parë, për të dytën herë, Ministria i mori ingerencat komunës së Tetovës për Gjimnazin, por kësaj radhe jo vetëm për emërim dhe shkarkim, por në nivel të përgjithshëm.