Gjermani, përfundon kriza e pengjeve në Hamburg
Pas më shumë se 18 orësh negociata me personin që mbajti peng vajzën e tij katërvjeçare në aeroportin e Hamburgut, policia njoftoi se kriza e pengjeve ka marrë fund, raporton Anadolu.
“Kriza e pengjeve ka përfunduar. I dyshuari ka zbritur nga makina me vajzën e tij. Ai nuk ka bërë rezistencë gjatë arrestimit. Duket se fëmija ka mbetur i padëmtuar”, njoftoi policia.
Policia tha se po bëhen përgatitjet për vendosjen e fluturimeve dhe se po punohet për rihapjen e terminalit.
Aeroporti në Hamburg të Gjermanisë është mbyllur për orë të tëra për shkak të krizës së pengjeve dhe të gjitha fluturimet mëngjesin e sotëm janë anuluar.
Autoritetet kompetente bënë të ditur se kanë biseduar disa orë me personin 35-vjeç, i cili mbante peng vajzën e tij katërvjeçare në një makinë pranë një avioni pasagjerësh. Ngjarja u cilësua në njoftimin për media si një “dramë familjare”.
Personi në fjalë depërtoi portën rreth orës 20:00 mbrëmë, u nis me makinë në ndalesë dhe ndaloi pranë avionit të pasagjerëve që duhej të nisej për në Türkiye.
Policia konfirmoi se personi më parë ka patur një mosmarrëveshje me gruan e tij lidhur me divorcin dhe të drejtat prindërore. Më herët të shtunën ajo ka kontaktuar policinë për rrëmbimin e mundshëm të fëmijës.
Operatori u ka kërkuar pasagjerëve të mos vijnë në aeroport dhe të ndjekin njoftimet e autoriteteve, pasi rrugët hyrëse janë bllokuar nga policia.