Gjendet drogë në makinën e Policisë së Maqedonisë, MPB: Nuk ka qenë e tyre, makina është e konfiskuar në 2016-tën
Pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme me një makinë të konfiskuar në vitin 2016 e që përdorej nga MPB, u nisën për në Mal të Zi për të marrë pjesë në një trajnim.
Por duke kaluar në pikën kufitare nga Shqipëria në Mal të Zi, pas një kontrolli të detajuar të makinës, iu gjet një sasi lëndës narkotike marihuanë e cila ishte e fshehur në një bunker të ndërtuar në makinë.
Nga policia e vendit thonë se pjesëtarët e MPB-së nuk kanë qenë në dijeni për këtë.
“Të punësuarit në MPB nuk kanë asnjë lidhje me lëndën narkotike, por ajo ka qenë në makinë, apo ka mbetur qysh në vitin 2016 kur kjo makinë është konfiskuar nga Drejtoria e Doganave dhe më vonë i është dhënë Agjencisë, e më vonë i është dhënë MPB-së. Të punësuarit në MPB nuk kanë asnjë lidhje me drogën dhe këtë e konfirmon edhe Prokuroria e Shqipërisë dhe ata tanimë janë kthyer në Shkup”, thanë nga MPB.
TV21 pyeti Prokurorinë se a do ta hetojë rastin? Thonë se do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.
“Sa i takon ngjarjes penalo-juridike për të cilën treguat interes, është formuar një lëndë pas së cilës vepron prokurori publik kompetent nga Reparti për ndjekje të veprave penale të kryera nga individë me autorizime policore dhe pjesëtarë të Policisë së Burgut pranë Prokurorisë Publike Themelore për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit”, thanë nga PPTH.
Për këtë rast dhe rastet e tjera kohëve të fundit, kryetari i opozitares VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kërkoi dorëheqje.
“Sot apo mbrëmë kur ishte, skandali që është harruar droga në makinën që e kanë përdorur pjesëtarë të Ministrisë për Punë të Brendshme, çka më shumë duhet të ndodh që këta njerëz të kuptojnë që të gjithë së bashku duhet të japin dorëheqje dhe të largohen”.