Maqedoni

Gjarpri ka kafshuar një holandez në Ohër, e kanë shëruar në spitalin e Dibrës, sepse në Ohër nuk ka pasur ilaç

Një turist nga Holanda është kafshuar nga gjarpri helmues në Ohër, por spitali i këtij qyteti nuk ka pasur serum, ndaj me autoambulancë është transportuar në spitalin e Dibrës, ku i kanë shpëtuar jetën, ka raportuar MKD.

Drejtori i spitalit të Dibrës thotë se shumë herë shpëtojnë jetën e njerëzve të kafshuar nga gjarpëri, shpeshherë bëhet fjalë edhe për banorë nga Shqipëria që jetojnë afër kufirit, sepse spitali i Peshkopisë është më larg spitalit të Dibrës, transmeton Lideri.mk.

Ditët e fundit në Spitalin e Përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar në Dibër, dy shtetas të huaj kanë marrë serum kundër helmit të gjarprit, i cili u ka shpëtuar jetën.

“Në një rast bëhet fjalë për një person nga vendbanimet fqinje shqiptare, në ambulancat e të cilit nuk kishte serum, e shtuar kësaj, për faktin se spitali ynë është më afër se ai rajonal i Peshkopisë dhe se është e nevojshme që ndihma tëjepet më shpejt dhe në kohë. Nëse një serum i tillë nuk merret brenda 3 deri në 4 orë, ndodh vdekja”, – thotë drejtori Jetlum Pasholli për MKD-në.

Rasti i dytë, siç tregon ai, ka qenë dje dhe jozyrtarisht ka qenë një shtetas holandez, i cili ka qenë me pushime në Ohër.

“Për rastin na telefonuan kolegët e spitalit të përgjithshëm nga Ohri, të cilët nuk kishin serum dhe menjëherë dolëm të ndihmë. Ishte koha në pyetje, e cila nuk na lejoi ta çonim serumin në Ohër, prandaj pacientin e sollën me autoambulancë nga spitali i Ohrit, e morën serumin dhe e kthyen sërish në Ohër”, shton Pasholli./Lideri