Maqedoni

Gir prezantoi raportin e KE-së, është rritur korrupsioni dhe është keqpërdorur flamuri europian

Rritje e korrupsionit, keqpërdorim i flamurit evropian dhe mosbesimi në gjyqësi, sipas ambasadorit të BE-së Dejvid Gir janë sferat që rrisin shqetësim, pasi njëkohësisht, tha se i vlerësojnë si më të rëndësishmet. Duke përmendur vërejtjet e raportit të progresit për vendin tonë që u publikua një ditë më parë, Gir tha se raporti është i sinqertë dhe i drejtë. Megjithatë, ai shtoi se vendi duhet të vazhdojë reformat dhe të votojë ndryshimet kushtetuese.

Dejvid Gir, ambasador i BE-së

“Raporti vëren përdorimin e tepruar, ndonjëherë të panevojshëm, të procedurave të përshpejtuara. Bëjmë thirrje që flamuri evropian duhet të përdoret kur është direkt i lidhur me miratim të ligjeve, që për qëllim kryesor kanë përputhjen me normat e BE-së dhe jo të shkurtohet debat për çështje të rëndësishëm. Ka keqpërdorim të flamurit në rastin e ndryshimeve të Kodit Penal dhe në ligjet e lidhura me korridoret 8 dhe 10-D”.

Shqetësuese sipas Gir, është rritja e korrupsionit të nivelit të lartë dhe vjetërsimi rasteve gjyqsore si pasoj e ndryshimit të Kodit Penal.

Dejvid Gir, ambasador i BE-së

“Në luftën kundër korrupsionit nuk është shënuar progres. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha, kjo lë hapsirë për shqetësim. Vërejmë raste të korrupsionit të nivelit të lartë që po rriten. Kjo rezulton edhe me vjetërsimin e lëndëve, gjë që shkakton shqetësim të madh, sepse ndryshimet e Koditr Penal i kanë ulur denimet maksimale ligjore për disa raste”.

Kurse zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq propozon që të miratohen ndryshimet kushtetuese, pastaj problemet me gjyqësorin dhe korrupsionin do t’i zgjidhin gjatë procesit të negociatave.

Bojan Mariçiq, Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane

“Ne i kemi filluar negociatat, çështja është nëse do t’i vazhdojmë dhe kjo varet nga ndryshimet kushtetuese. Ne i kemi vendosur mangësitë në listën e detyrave tona gjatë negociatave dhe nëse do të shkojmë në fazën tjetër varet vetëm nga ndryshimet kushtetuese. Nuk ka asnjë problem në këtë raport që nuk mund ta zgjidhim gjatë negociatave me BE-në, por për ta bërë këtë është e rëndësishme që të plotësohet detyrimi me ndryshimet kushtetuese”.

Gir tha se të gjitha partitë politike duhet ta kenë të qartë se pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë anëtarësim evropian të Maqedonisë së Veriut.

Përndryshe, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.