Gir: Duam fillim të negociatave me Shkupin dhe Tiranën sa më shpejtë të jetë e mundur
Duam fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë sa më shpejtë të jetë e mundur dhe i nxisim të gjitha përpjekjet për realizimin e këtij qëllimi, deklaroi sot në Shkup ambasadori i shefit të Delegacionit të BE-së në vend, Dejvid Gir.
Euroambasadori Gir, në deklaratë për mediat para hapjes së panel diskutimit në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës 9 Maji, theksoi se nuk dëshiron të hyjë në debat me afate, por theksoi se duhet të bëhen përpjekje maksimale për realizimin e qëllimit për hapjen e negociatave, sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Absolutisht jemi të vendosur për të vazhduar përpara, jemi në dijeni se është nga interesi strategjik i BE-së dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, që këto vende të përfshihen në Union dhe ne presim vazhdim të procesit dhe ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Gir.
I pyetur nëse propozimi i ri i presidentit francez Emanuel Makron është zëvendësim për mossuksesin eventual të procesit të zgjerimit, Gir tha se qëndrimet e Makronit dhe kryetarit të Këshillit të Evropës Sharl Mishel janë të qarta.
“Proceset aderuese për vendet e Ballkanit Perëndimor mbesin forca kryesore lëvizëse. Nuk ka ndryshime për procesin e zgjerimit dhe rruga e vetme është zgjerimi për Ballkanin Perëndimor. Ky është prioritet absolut dhe rrugë e bazuar në reforma. Prandaj, nuk shoh se kjo do të ndikojë në rrugën drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE”, deklaroi Gir.
Ambasadorja gjermane Anke Hollshtajn, porositi se vendet e rajonit i takojnë BE-së.
“Kancelari gjerman në deklaratën qeveritare sot në mëngjes deklaroi se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i takojnë BE-së. Ky është mesazhi që i nevojitet rajonit. Ai, gjithashtu, shton se situata gjeopolitike është më urgjente se kurrë dhe ky është qëllim strategjik edhe për Gjermaninë, Qeverinë. Qeveria gjermane mbetet e përkushtuar”, deklaroi Hollshtajn.
Në panel diskutimin, në organizim të Fondacionit Konrad Adenauer, Lëvizja evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Qendrës për studime evropiane Vilfred Martens nga Brukseli, është paralajmëruar edhe fjalime të zëvendëskryeministrit të obliguar për çështje evropiane Bojan Mariçiq, të kryetarit të Këshillit kombëtar për eurointegrime Aleksandar Nikolloski, të zëvendëskryetares të Komisionit për çështje evropiane Arta Bilalli -Zendeli, si dhe të anëtares së Komisionit për çështje evropiane Monika Zajkova.