Gëzuar festën e “22 Nëntorit”!
Shkruan
dr. Bexhet Asani
Dita e përfundimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, 22 nëntori është festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Më 22 nëntor të vitit 1908, përfundoi me sukses punimet Kongresi i Manastirit. Kjo ditë historike për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut kremtohet nëpër institucionet shtetërore, në universitete, shkolla fillore dhe të mesme, me aktivitete letraro-muzikore e kulturore.
Dita e përfundimit të Kongresit të Manastirit duhet të shpallet festë kombëtare edhe në Republikën e Kosovës e në Republikën e Shqipërisë. Ne jemi një popull. Kemi një flamur. Kemi njjë gjuhë. Kemi një Skënderbe. Duhet të kemi një festë kombëtare siç është “22 Nëntori”.
Me afabetin e këtij Kongresi, me këto shkronja të skalitura me gjak, shërbehen gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor.
Duhet të theksoj se derisa isha pedagog në Gjimnazin e Strugës, Manastirin sidomos Shtëpinë e Kongresit, më 22 nëntor, e bëra Qendër Pelegrinazhi për nxënësit dhe koleget e kolegët e mi. Atje, në Manastir domosdo do të na priste rilindësi i fundit i Manastirit mësuesi dhe gazetari Qenan Hasani.
Për nder të gjashtëdhjetë vjetorit të Kongresit të Manastirit më 22 nëntor të vitit 1968 u ngrit pllaka përkujtimore te restoranti i Themistokli Gërmenjit, aty ku u mbajtën mbledhjet plenare të Kongresit me këtë rast shkrimtari i njohur maqedonas Vlado Maleski, njëherit dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare tha:
“….Jetojmë afër njëri tjetrit. Jetojmë rrëzë malit e buzë detit. Jetojmë me vizionin për një të ardhme më të bukur, me kujtime të bukura për të kaluarën. Një kujtim i tillë është edhe kjo pllakë e mermerit, të cilën po e inaugurojmë në emër të Këshillit republikan për kremtimin e këtij jubileu. E mermeri nuk thyhet lehtë “.