Gazetari i njohur Elez Biberaj del në pension, pas 43 vitesh, në ‘Zërin e Amerikës’
Nga Ruben Avxhiu
‘Sot, i njoftova kolegët e mi të VOA-s se kam vendosur të dal në pension nga Zëri i Amerikës, efektivisht në 31 dhjetor 2023’, shkruan ai në një mesazh për miqtë dhe bashkëpunëtorët.
‘Ka qenë nderi dhe privilegji më i lartë i jetës sime që të punoj për transmetuesin ndërkombëtar më të shquar dhe më me ndikim në botë. Do të jem përgjithmë mirënjohës VOA-s për mundësitë që më dha’, shkruan në mesazhin e tij Drejtori Ekzekutiv i ‘Zërit të Amerikës’ .
Dr. Biberaj u bë shumë i njohur në botën shqiptare gjatë viteve të ndryshimeve që sollën rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Ai ka shërbyer në shumë pozicione por do të mbahet mend më shumë për periudhën 1986-2004, kur shërbeu si Shef i Programit të Gjuhës Shqipe.
Drejtues për gati dy dekada i Divizionit të EuroAzisë, ai shërbeu edhe si Drejtor i Përkohshëm i ‘Zërit të Amerikës’ në periudhën e vështirë qershor-dhjetor 2020, deri sa u kapërcye situata e konfliktit mes institucionit të njohur dhe administratës amerikane të kohës.