Gaza, çifti i ri i zhvendosur organizojnë dasmën e tyre në shkollën e OKB-së mes luftës
Mes shkatërrimit të shkaktuar nga sulmet e fundit të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës, një çift palestinez ka gjetur dashurinë dhe shpresën në mes të fatkeqësisë, raporton Anadolu.
Ibrahim dhe Narmin Abed, të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në veri të Rripit të Gazës, kërkuan strehim në shkollën e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Deir al-Balah në jug të enklavës.
Pavarësisht trazirave që i rrethuan, Ibrahimi dhe Narmini vendosën të bëjnë një hap të guximshëm përpara në jetën e tyre. Me atmosferën e mbushur me tinguj feste, dje ata u martuan në një ceremoni të thjeshtë, por të përzemërt. Vallet dhe muzika lokale shoqëruan bashkimin e çiftit, duke sjellë një ndjenjë gëzimi dhe unitet mes dëshpërimit.
Pas ceremonisë së martesës, çifti i ri vazhduan drejt një makine, e cila ishte kthyer në shtëpinë e tyre.
Duke folur për Anadolu, nusja Narmin tregoi sfidat me të cilat u përballën në planifikimin e dasmës së tyre mes rrethanave të trazuara. Ajo tha se kishin planifikuar të martohen pas një muaji, pastaj pas gjashtë muajve dhe më vonë pas nëntë muajve, pasi rrethanat nuk ishin të përshtatshme për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.
Narmin shprehu përpjekjet dhe aspiratat e tyre për një festë madhështore, duke theksuar kufizimet financiare të imponuara nga lufta.
“Doja të ishte e madhe dhe me klas, me dasmë e të gjitha, por nuk ka para. Ky është fati ynë, kështu është. Domethënë, në luftë, në makinë. Dua të them, nuk ka hapësirë të mjaftueshme, çadrat, kushtojnë shumë para, makinë, nuk ka makinë dhe çadra kushton shumë para”, shpjegoi ajo.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit të rezistencës palestineze Hamas. Sulmi që pasoi nga Izraeli ka vrarë të paktën 29.600 palestinezë dhe ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, ndërsa nga pala izraelite, më pak se 1.200 njerëz besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Që nga themelimi i tij në vitin 1948, Izraeli për herë të parë është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të ofruar dhe garantuar ndihmë humanitare për civilët në Gaza.