Maqedoni

Gashi: Sonte fillon faza e mbrojtjes së votës, kësaj radhe nuk lejojmë nëpërkëmbjen e vullnetit të shqiptarëve

Afrim Gashi tha se është i bindur se Tetova ka vullnet për ndryshim dhe se ky ndryshim do të ndodhë më 17 tetor.

Gashi tha se fushata ka dy faza, e para me grumbullimin e votave dhe e dyta me mbrojtjen e votës.

“Sonte përfundon faza e grumbullimit të votave. Kemi bërë çmos këto 20 ditë që nga tubimi i parë në Shkup, kemi vizatuar gjitha komunat, kemi promovuar kandidatët më të mirë të mundshëm, kemi gjetur programet më të mirë, kemi gjetur zgjidhjet më të mira për komunat e tona që BDI i ka lënë 20 vite prapa. Sonte bie perdja, sonte fjalët e tona heshtin. Por sonte fillon një fazë shumë e rëndësishme, prej sonte fillon mekanizmi, të gjitha shtabet tona duhet të shndërrohen në fuqi që e mbrojnë votën”, tha Gashi duke shtuar se duhet konceptim për ruajtjen e votës.

“Mbrojta e votës nënkupton mbrojtje të vullnetit të shqiptarëve, andaj patjetër duhet ta mbrojmë. Kësaj here jam shumë i bindur se kemi marrë masat e duhura dhe do të dalim faqebardhë”, tha Gashi.