Gashi për Alsat: Amnistia e Gruevskit është dakorduar në Budapest
Ndryshimet në Kodin Penal janë dakorduar në Budapest. Kështu thotë kreu i Alternativës, Afrim Gashi. I ftuar në lajmet qendrore në Alsat, Gashi tha se një delegacion qeveritar ka udhëtuar në Hungari dhe së bashku me ish kryeministrin Nikolla Gruevski janë marrë vesh për lëndët gjyqësore në të cilat do të amnistohet.
“Informacionet tona flasin se ky Kod, ndryshimi i Kodit Penal është negociuar në Budapest. Ka shkuar një delegacion i Qeverisë dhe zyrtar të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, kanë shkuar atje dhe bashkë me Gruevskin kanë parë lëndët në të cilat është i dënuar dhe akuzuar dhe kanë parë mundësinë se si me ndryshimet e Kodit Penal ai mund të kthehet këtu në Maqedoni për veprat penale për të cilat është i dënuar në mungesë, të rikthehet procesi gjyqësor dhe për proceset e tjera të ndërpriten, apo të falen apo të vjetërsohen dhe krejt kjo bëhet me arsyetimin se gjoja po bëhet një ndërmarrje për ndryshimet kushtetuese ndërsa në fakt bëhet për arsye të faljes personale të vjedhjeve të tyre që i bëjnë dhe kështu mendojnë të shkaktojnë një huti te elektorati maqedonas”, theksoi Gashi, në intervistën në kuadër të lajmeve në Alsat.