GASHI: LLOGARI NGA ARSOVSKA NËSE NUK PËRMBUSH PREMTIMET
Partia Alternativa, edhe pse mbështeti kandidaturën e kryetares së Qytetit të Shkupit në zgjedhje lokale, si pjesë e koalicionit me ASH-në, nuk ka marrë asnjë nga pozitat e paralajmëruara gjatë fushatës zgjedhore. Kryetari i kësaj partie, Afrim Gashi tha për Klan Maqedoni se Kryebashkiakja e Shkupit, nëse nuk përmbush premtimet, do të përgjigjet para votuesve.
Përfaqësues të Alternativës, e cila disa muaj pas zgjedhjeve, iu bashkua Qeverisë, gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale pretendonin se fitorja e Arsovskës do t’i sjell atyre pozita drejtuese në të paktën dy drejtori në ndërmarrjet të rëndësishme të Qytetit të Shkupit, megjithatë pas zgjedhjeve Arsovska nuk përfshiu Alternativën në emërimet e posteve. Duke komentuar marrëveshjen me Arsovskën gjatë emisionit Klan Debat, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi tha se, partia e tij i ka qëndruar besnike marrëveshjes që kanë pasur, ndërsa Arsovska do të përgjigjet para votuesve në rast se nuk i përmbush premtimet e bëra.
“Këtë pyetje duhet t’ia parashtroni zonjës Arsovska. Gjithmonë në jetë unë mundohem të jem korrekt me pjesën time të përgjegjësisë. Unë mendoj se Alternativa dhe votuesi i Alternativës e ka bërë me nder punën e vet. Ne kemi pasur një marrëveshje, i kemi qëndruar besnik asaj marrëveshje, tash i mbetet asaj që në ndërgjegjen e vet të vendosë a duhet ta respektojë atë marrëveshje apo jo”, tha ditë më parë kreu i Alternativës, Afrim Gashi.
Ndërkohë, Arben Taravari nga ASH, ka thënë se nuk beson se i kanë hy në hak Alternativës sa i përket kësaj çështje.
“Nuk e mendoj se edhe ai ashtu e mendon, jam i sigurt se Afrimi nuk mendon ashtu”, tha Arben Taravari nga ASH.
Si pjesë e marrëveshjes parazgjedhore, Aleanca për Shqiptarët deri më tani ka marrë postin e nënkryetares së Qytetit të Shkupit si dhe postin e drejtuesit të NP Higjiena Komunale. /KlanMacedonia/