Maqedoni

Gashi: Kah mesi i qershorit do ta kemi Qeverinë e re

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, pjesë e koalicionit VLEN për emisionin 360 gradë, ka deklaruar se sipas pritshmërive Qeveria e re do të duhet të formohet kah mesi i muajit qershor.

“Mendoj se deri në mesin e qershorit do të kemi qeveri, këtë e vlerësoj në bazë të bisedës të cilën e kishim. Nëse kështu shkojnë punët, do të jetë shpejtë”, ka deklaruar Gashi.

Sa i përket preferencave për postet ministrore, edhe pse nuk është biseduar për këtë temë, Gashi tha se përpjekja e tyre është që të kenë përfaqësues në resorët lidhur me pesë shtyllat për të cilët kanë dhënë premtime në fushatën zgjedhore, siç janë, integrimi në BE, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, decentralizimi dhe arsimi.

“Për këto resorë dëshirojmë të kemi njerëz tonë, anëtarë të cilët do të jenë në funksione të rëndësishme, por nuk do të thotë kjo se duhet të jetë ministër. Koncepti ynë është që qeveria të funksionojë si një, të ketë program qeveritar dhe të mos jetë e rëndësishme si do të thirret ministri ose nga cila përkatësi etnike vjen apo parti politike”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.