Gashi: Diaspora të votojë në mënyrë elektronike në zgedhjet e ardhshme
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka dalë me propozim konkret për përfshirjen diasporës në procesin e votimeve në Maqedoninë e Veriut.
Diasporën në Maqedoninë e Veriut e përbëjnë kryesisht shqiptarët, të cilet edhe pse janë faktori kryesor për mirëqenien ekonomike të vendit tonë fqinj, megjithatë me dekada janë të përjashtuar nga procesi zgjedhor.
Në fjalimin e mbajtur në kongresin e parë të partisë Alternativa, Gashi mëton t’i vendosë fund këtij diskriminimi të diasporës, duke propozuar që diaspora të votojë në mënyrë elektronike prej vendeve ku jetojnë.
Gashi poashtu ka propozuar që shteti fqinj, Maqedonia e Veriut, të jetë një njësi me prag zgjedhor 2 për qind, transmeton Almakos.
“Diçka tjetër që një kohë të gjatë më ka intriguar dhe më ka sfiduar është tema e përfaqësimit të qytetarëve përmes pjesëmarrjes së tyre në shprehjen e vullnetit demokratik përmes votës. Ne të gjithë tashmë e dimë se ky kod zgjedhor nuk i përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarët tanë dhe se ai duhet ndryshuar. Prandaj ne, në programin tonë, kërkojmë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një zonë zgjedhore, me prag zgjedhor prej 2% dhe me mundësi që në zgjedhje, përmes votimit elektronik, edhe qytetarët tanë jorezidentë ta shprehin vullnetin e tyre politik”, tha Gashi në fjalimin e mbajtur para bashkëpartiakëve, musafirëve nga parti tjera politike nga Maqedonia, Shqipëria e Kosova, përfaqësuesve të mediave dhe korit diplomatik.
“E kur kësaj t’ia shtojmë edhe listat e hapura, jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të jetë shembull i jetës demokratike jo vetëm në Ballkan”, shtoi Gashi.
Edhe pse para disa viteve ndodhi ndarja në dy pjesë, Alternativa pretendon se është përfaqësuese e idesë burimore të Lëvizjes Besa, sado që gjykata e Maqedonisë së Veriut emrin dhe vulat ia ndau krahut tjetër të udhehequr nga Bilal Kasami.
Në këtë frymë, Gashi ka përsëritur se si parti si subjekt ende nuk kanë hequr dorë nga platforma e “Ridefinimit”. Gashi theksoi se sado që kjo platformë është keqkuptuar ose nënçmuar në opinion, ajo është zgjidhje për statusin e shqiptarëve që sipas disa vlerësimeve, përbëjnë deri 40 përqind të popullsisë të fqiut tonë lindor.
“ Një temë për të cilën kemi qenë të paragjykuar që në fillim dhe që gati asnjëherë nuk është kuptuar drejt në opinion ka qenë ridefinimi. Ne e kishim thënë qysh më 2014, ndërsa e kemi përsëritur në vazhdimësi, se shteti ynë është bërë në kushte të krizave, qoftë më 1991, qoftë më 2001, andaj edhe asimetria që ekziston mes shoqërisë dhe shtetit është potencial që mund të gjenerojë kriza edhe në të ardhmen. Prandaj kemi kërkuar që në kushte të paqes, pa erë baruti, të ulemi e të diskutojmë si qytetarë dhe politikanë që e duan këtë vend dhe duan ta shohin të zhvilluar dhe me perspektivë europiane, se çfarë duhet të bëjmë që ky shtet të jetë komplementar me shoqërinë. Nëse shqiptarët janë një komunitet i ndërmjetmë, mes shumicës dhe minoriteteve të tjera, shtrohet pyetja si duhet definuar të drejtat e tyre etnike, a janë ata bashkësi etnike apo janë komb, si duhet definuar shteti kundrejt tyre dhe si duhet të ndodhë ky inkluzion shoqëror, që ashtu të sheshohen të gjitha dallimet dhe shteti të jetë koheziv dhe inkluziv. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe më tej në këtë, duke qenë të bindur se kjo është në të mirë të së ardhmes së Republikës së Maqedonisë së Veriut”, premtoi Gashi.