Gashi dhe Sela në Çarshi së bashku me Bekim Salin dhe Zudi Kokën: Çairin e presin surpriza të mira
Kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi si dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, gjatë ditës së sotme kanë pasur një takim në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, të shoqëruar nga kandidati i opozitës shqiptare për komunën e Çairit, Bekim Sali dhe bartësi i listës, Zudi Koka.
Afrim Gashi ka shkruar se po priten surpriza për Çairin.
“Sot, së bashku me mikun tim Ziadin Sela, kandidatin për kryetar komune të Çairit, Bekim Sali dhe kryetarin e degës së ASH-Çair, Zudi Koka, në zemrën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, shijuam kafetë tona të preferuara. Shkupi me diell të fortë po pret surpriza të mira për Çairin tonë. Më 31 tetor do të festojmë në Çairin tonë”, ka shkruar Gashi.
Edhe Sela, po ashtu ka thënë se paardhur koha që Çairi të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni.
“Në zemër të Shkupit, bashkë me mikun tim, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, kryetarin e ardhshëm të Çairit, Bekim Sali dhe kryetarin e degës së ASH-së në Çair, Zudi Koka.
Çairi duhet të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni, të rrëzohen muret ndarëse dhe t’i kthehet shkëlqimi e krenaria”, ka shkruar Ziadin Sela.