Maqedoni

Garazhet në kate, Ganiu: Qeveria bllokonte realizimin e këtyre projekteve

Ndërtimi i garazheve në kate të premtuara në fushatën e zgjedhjeve lokale nga ana e Visar Ganiut janë bërë temë diskutimi përsëri, pasi dje zëvendëskryeministri Mexhiti njoftoi ndarjen e mjeteve për parkingun nëntokësor në Sheshin Skenderbeu. Klan Maqedoni për këtë premtim të parazgjedhur bisedoi me kreun e Komunës së Çairit, Visar Ganiu.

Sipas tij, katër garazhet në kate të premtuara nuk janë realizuar për faj të ish përbërjes qeveritare, sipas tij, të njëjtat do të ishin të harruara dhe si problem të zgjidhura nëse do të kishte vullnet nga ish partitë e pushtetit, LSDM-BDI.

“Garazhet në kate do të ishin të harruara në komunën e Çairit po të mos bëjë Qeveria bllokada, për shkak se aty e shihte që në çdo anketë, në çdo fizibilitet që e kemi bërë, problematika numër një ka qenë garazhet në kate në Komunën e Çairit. Dikush ka investuar në atë problematikë, për shkak se ka dashur ta mbajë si problematikë në Çair dhe të mos mund ta ngrisim kokën dhe të funksionojmë si njerëz. Edhe ajo me Bexhet Pacollin, do thosha, ideja ishte e zv/kryeministrit që ta sjellim, për shkak se ne do të sillnim një ligj për investime strategjike, por duhet një kompani dhe jo më shumë, dhe këtë mund ta bënte vetëm Bexhet Pacolli. Ne ramë dakord për shkak se ishim nevojtarë dhe donim ta zgjidhnim problemin, e sollën njeriun, e promovuan, u interesua për shkak se ne i kishim me plane biznesi dhe fizibiliteti, edhe ai ishte i interesuar për të hyrë, por pyeste Qeverinë: “A e solli ligjin për investime strategjike?” E bllokoi dhe ne vetëm me atë formë mundëm ta angazhonim kompaninë e tij. Ndryshe, nuk kishim forma tjera, domethënë prapë problemi ishte tek Qeveria” – tha Ganiu.