Maqedoni

Ganiu le në mëshirën e fatit nxënësit e Çairit, shkolla “7 Marsi” borxh deri në fyt!?

Kryetari aktual i komunës së Çairit, Visar Ganiu, si duket ka lënë në mëshirën e fatit shkollën fillore “7 Marsi”. Drejtori i kësaj shkolle, Ajdin Ramadani, është ankuar se ata e kanë xhirllogarin e bllokuar dhe se shkolla është deri në fyt e mbushur me borxhe. Ai për Alsat u shpreh se vetëm mëshira e furnizuesit me ngroje mund t’i shpetoj nxënësit të mos përballen me të ftohtin.

“Si shkollë, i kemi borxh kësaj ndërmarrje sepse i kemi disa përmbarues që i kanë tërheq të hollat, tash borxhi po rritet. Deri tash asnjëherë nuk e kanë ndal ngrohjen, gjithmonë kemi pas mirëkuptim prej tyre, sigurisht edhe sivjet do të jetë e njëjta. Kur problemet grumbullohen shumë vështirë është për me I zgjidh përnjëherë, duhet pjesë. Ne mundohemi sa mundemi mirëpo janë borxhe më të mëdha dhe aty ngecin problemet – tha Ajdin Ramadani, drejtor i Sh.f “7 Marsi”.

Ramadani thotë se Shkolla ka borxhe edhe ndaj Institucioneve të tjera dhe se kjo gjendje e pamundëson intervenimin edhe më të vogël apo rikonstruimin e infrastrukturës së Shkollës.

“Borxhet janë grumbullua prej shumë vitesh. Kemi për ngrohje, për transport, për transportin e nxënësve nga Vizbegu, edhe aty kemi borxhe që kanë mbet të vjetërsuara, pa u paguar, por edhe për ujë, për rrymë, për higjienë… të gjitha nga pak edhe bëhet shumë. Kjo ndikon në të gjitha aspektet, nuk kemi mjaft mjete për pastrimin e tualeteve, për mirëmbajtjen e shkollës, gjithë kjo ndikon në punën e shkollës. Një punë më të vogël nuk mundesh me kry, duart I ke të lidhura – deklaroi Ajdin Ramadani, drejtor i Sh.f “7 Marsi”.

Nga Komuna e Çairit thanë se në prag të fillimit të sezonit të ngrohjes komuna është duke i ndërmarr të gjitha aktivitetet që ngrohja e objekteve shkollore të jetë e rregullt pas asnjë ditë ndërprerje, nga dita e pare e deri më përfundimin e sezonit, ashtu si dhe ka qenë gjatë viteve te fundit.

Vitin e kaluar, thuajse të gjitha shkollat fillore dhe të mesme kursyen nga ngrohja e shkollave për shkak se pjesa më e madhe e procesit mësimor u realizua online. Ministrja e Arsimit, Mila Carovska kishte rekomanduar që mësuesit orët e mësimit nga distanca ti mbajnë nga shtëpia me qëllim që e gjithë klasa mos të ngrohet vetëm për një mësimdhënës. Në vend që mjetet të harxhohen për ngrohje, Carovska tha se të njëjtat të përdoren për IT pajise dhe për infrastrukturën e shkollës.