Frontit Evropian vazhdon të qëndrojë në tendat e vendosura para Gjykatës Kushtetuese
Mbështetës dhe përfaqësues politik të Frontit Europian vazhdojnë të qëndrojnë brenda tendave të vendosura para Gjykatës Kushtetuese. Gjatë vizitës sonë atje, takuam rreth 20 persona.
Nëse Fronti Europian dhe liderët e tyre mbrëmë mblodhën mijëra persona para Gjykatës Kushtetuese, sot atmosfera është pak më ndryshe. Në tendat që janë vendosur para Gjykatës Kushtetuese për momentin qëndrojnë dhjetëra persona të cilët janë emëruar si “roje të gjuhës” ndërsa qëndrimi i tyre dhe largimi i tendave do të varet nga vendimi i nesërm i Gjykatës Kushtetuese.
Ish deputeti i BDI-së Berat Ajdari, na njoftoi se nuk ka një orar të caktuar se kush kur duhet të qëndrojë por kjo bëhet spontanisht varësisht se kush është më i lirë.
“Edhe këtu ne do të jemi deri nesër. Të shohim se çfarë vendimi do të merret nga Gjykata Kushtetuese pastaj do të mblidhet Fronti Europian dhe do të merret vendim nëse do të vazhdojmë apo do ta ndërpresim nesër”, tha Berat Ajdari – Fronti Europian.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nesër në rend dite në ora 09:30 si pikë të parë të rendit të ditës e ka kontestimin e ligjit për gjuhët dhe varësisht prej vendimit që do të marrë gjatë ditës, do të jenë edhe veprimi i ardhshëm politik i partive politike nga Fronti Europian por edhe më gjerë./Alsat.mk