Fronti opozitarë pyet Ministrinë e Transportit: A ka për qëllim Ahmeti të imitojë Putinin për të krijuar oligarkinë e tij?
A është Eurovia filiale e BDI-së? A ka për qëllim Ahmeti të imitojë Putinin për të krijuar oligarkinë e tij? A është EUROVIA në duart e BDI-LSDM-së? Këto pyetje sot iu drejtuan Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve nga Fronti opozitar shqiptar. Rexhep Asani nga lëvizja Besa akuzoi BDI-në se paratë publike po i keqpërdor për tenderë të kompanive të afërta më të. Opozita njoftoi edhe për një tender të ri që ka fituar kompania EUROVIA.
“EUROVIA së fundmi ka fituar edhe një tender tjetër në vlerë prej më shumë se një milion euro, për ndërtimin e një pjese të sistemit të kanalizimit në Haraçinë. Ironia është se në konkurrencë edhe me dy kompani të tjera, ku njëra ofroi një çmim më të ulët, ishte pikërisht EUROVIA që fitoi tenderin dhe nënshkruajti kontratën. Andaj, pyetja jonë është se sa nga ky projekt do të derdhet në llogarinë e BDI-së e sa në të LSDM-së? Edhe sa tenderë tjerë do të fitojë EUROVIA para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare? Kush po përpiqet të mbledhë sa më shumë para përpara se të bëhet pjesë e opozitës? Dhe në fund, kush do të jetë ai i cili do të kërkojë azil në një vend të huaj, sipas shembullit të idhullit të tyre politik, Nikolla Gruevski?”, deklaroi Rexhep Asani, lëvizja BESA. /Alsat.mk