Fronti opozitar: Presim Xhaferi të ftojë seancë për interpelancë ndaj kryeprokurorit Joveski, befasi heshtja e BDI-së dhe ASH-së!
Deputetja e Alternativës, Safije Sadiki Shaini tha se partia e saj, bashkë me Lëvizjen Besa dhe Lëvizjen Demokratike presin që kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi të ftojë për seancë për interpelancë ndaj kryeprokurorit Lubomir Joveski. Nga fronti opozitar thonë se janë të befasuar me heshtjen e BDI-së dhe ASH-së në lidhje me këtë interpelancë.
“Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe pse është i detyruar me Rregulloren për punën e Kuvendit që në afat prej 15 ditësh, që nga dorëzimi i interpelancës, në seancën e parë plenare ta vë në rend dite atë, prej tij deri tash kemi vetëm heshtje. Heshtje dhe, madje, mashtrim me opinionin kemi edhe nga kreu i BDI-së, z. Ali Ahmeti. Në vend se të deklarohet për interpelancën tonë, sepse – fundja – ajo ka të bëjë me së paku 14 jetë të humbura në spitalin modular të Tetovës, ai vazhdon të brengoset më shumë si ta shpëtojë Nikolla Gruevkin, si ta marrë edhe një herë pushtetin, si të mashtrojë edhe një herë me temën e presidentit konsensual dhe gjepura të tjera, që veç temën qendrore – a është ai për shkarkimin e Lubomir Joveskit apo jo? Megjithatë, më dëshpëruese se heshtja e Ali Ahmetit dhe BDI-së dhe heshtja e Talat Xhaferit është heshtja e deputetëve dhe e kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Le që nuk e kanë nënshkruar interpelancën, por deputetët e ASH-së ia kanë marrë zanatin e heshtjes edhe BDI-së, ashtu që, njësoj si ata, në vend se të deklarohen a janë me ujkun a me qengjin, a janë me 14 viktimat dhe familjet e tyre apo janë me Lubomir Joveskin, Arben Taravari dhe deputetët e ASH-së e bëjnë të shurdhëtin dhe nuk deklarohet fare, duke lënë për të dyshuar se tashmë edhe ata, njësoj si eksponentë të BDI-së, i kanë futur gishtat në “mjaltë” dhe prandaj tash frikësohen prej Joveskit”, tha deputetja Safije Sadiki-Shaini.