Fronti Evropian dorëzoi interpelancë për Mexhitin, Stoillkoviqin, Toshkovskin dhe Isenin
Interpelancë për zëvendëskryeministrat Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq dhe për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni ka dorëzuar sot grupi parlamentar i “Frontit Evropian”, transmeton Portalb.mk.
Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së, Blerim Bexheti, sot në një konferencë për media tha se po e dorëzojnë interpelancën për punën e katër anëtarëve të Qeverisë, për të cilët tha se të gjithë nuk kanë legjitimitet etnik.
Për zëvendëskryeministrin Mexhiti, Bexheti tha se është përgjegjës për keqmenaxhimin e situatave që po ndodhin në vend, përfshirë edhe marrëdhëniet ndëretnike.
“Në vend që të vepronte si garant i paqes dhe integrimit ndër-etnik, ai ka dështuar të mbrojë interesat e komunitetit shqiptar dhe të kontribuonte në ruajtjen e harmonisë shoqërore dhe ndëretnike. Përkundrazi, ai ka toleruar diskriminimin , drejtësinë selektive nga organet kompetente dhe ka heshtur ndaj padrejtësive të përsëritura që ka pësuar ky komunitet”, tha Bexheti.
Në sqarimin e dhënë nga Bexheti për interpelancën e dorëzuar për ministrin e Brendshëm Toshkovski dhe zëvendësin e tij Iseni, tha se në ditën e festës së flamurit shqiptar, ata si persona përgjegjës kanë urdhëruar policinë që të ndërhyjë në një mënyrë të paparë dhe mënyrë të pajustifikuar, duke penguar një manifestim paqësor dhe tradicional të shqiptarëve.
“Kjo ndërhyrje ka shkaktuar tensione të panevojshme dhe ka minuar atmosferën e paqes dhe bashkëjetesës ndër-etnike. Policia, në vend që të ruante rendin publik dhe të respektonte të drejtat e qytetarëve për të festuar këtë ditë, ka nxitur konfrontime dhe ka përshkallëzuar tensionet. Ky dështim i menaxhimit të situatës ka ndodhur për shkak të paaftësisë dhe mungesës së profesionalizmit të Ministrit të Punëve të Brendshme”, tha Bexheti.
Ndërkohë, interpelanca për zëvendës kryeministrin Ivan Stoilkovic, është dorëzuar për mosveprimin e tij lidhur me ngjarjet e fundit në Kumanovë, ku disa automjete dhe një dyqan shqiptar u dogjën. Stoilkoviq, në cilësinë e tij si zëvendëskryeministrit dhe ministër i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, thotë Bexheti, nuk arriti të respektojë dhe zbatojë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
Përveç interpelancave, Bexheti bëri të ditur edhe se grupi parlamentar i “Frontit Europian” ka paraqitur kërkesë për të vendosur në rendin e ditës së seancës së ardhshme informacionin për gjendjen e sigurisë në vend.
“Duke pasur parasysh situatën e re, e cila ka ndikim real në një nga shtyllat bazë të stabilitetit të vendit dhe shoqërisë sonë, deputetët e Grupit Parlamentar të Frontit Evropian, në përputhje me nenin 205 paragrafi 2 i Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, paraqesin KËRKESË për marrjen e informatave të hollësishme nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe Zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Në këtë kërkesë të dorëzuar nga ne, kërkojmë urgjentisht që në seancën e radhës, në përputhje me nenin 75 paragrafi 3 të Rregullores së Kuvendit, e njëjta të futet në rendin e ditës të seancës së ardhshme dhe të përmbajë informacione të sakta dhe gjithëpërfshirës në lidhje me:
Situatën e sigurisë në vend në periudhën e fundit dhe atë me informacion të detajuar për të gjitha segmentet e përshkruara në kërkesën për informacion
Informacione të detajuara kronologjike për ngjarjet në Kumanovë, veçanërisht në lidhje me djegien e objekteve afariste në këtë qytet dhe sulmet mbi pronat e qytetarëve shqiptare, masat dhe hetimet e kryera për ndriçimin e këtyre rasteve, duke marrë parasysh ndikimin e tyre të mundshëm në marrëdhëniet ndëretnike.
Informacione të hollësishme në lidhje me ngjarjet në të cilat ndodhi djegia e flamujve, si dhe informacione për qasjen selektive në drejtim të procesimit të pjesëmarrësve në të njëjtat ngjarje
Si dhe të gjitha detajet në lidhje me masat e reagimit institucional dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme të ngjashme
Informacion në lidhje me protokollet në rastet e veprimeve selektive nga zyrtarë të Ministrisë së Brendshme
Si dhe mekanizmat e parashikuar për mbikëqyrjen e punës së shërbimeve të sigurisë, veçanërisht në situata të tilla sensitive, llogaridhënie për masat e marra dhe të pandërmarra”, tha Bexheti.
Nga kolaicioni VLEN kanë reaguar ndaj interpelancës, duke thënë se kjo është një lëvizje klasike e parashikueshme e BDI-së pas dështimit të grupeve të afërta të Artan Grubit për të dëmtuar festën e organizuar të 28 nëntorit.
“Ata krijuan probleme dhe tani po ia kalojnë fajin dikujt tjetër”, thonë nga VLEN.
Kujtojmë se ditëve të fundit në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur ngjarje të cilat çojnë në përplasje dhe nxitje të urrejtjes ndëretnike.
Me rastin e ditës 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, u arrestuan tetë persona, tre prej të cilëve përfunduan në paraburgim 8 ditor, për shkak të grisjes së flamurit të Maqedonisë së Veriut dhe përfshirjes në rrahje.
Në Kumanovë janë djegur disa vetura, një objekt afarist dhe një fasadë shtëpie, të cilat raportohet se u përkasin qytetarëve shqiptar.
Gjithashtu, reagime ka nxitur nisma e ministres së Arsimit Vesna Janeva për hetim nga Inspektorat i Arsimit në shkollën fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Tetovës, ku gjatë performancës nxënësit mbanin armë plastike dhe ishin të veshur me uniforma të UÇK-së. Veprimi i Janevës është konsideruar si ksenofobik nga partitë opozitare shqiptare në vend.