Kolumna

Franca e Gjermania në fushatë për liberalizimin e vizave në këmbim të autonomisë serbe

Franca dhe Gjermania e përdorën sot një raport të Transparency International (TI) duke thënë se Kosova ka bërë përparim gjatë vitit të kaluar në luftimin e korrupsionit, pasi Parisi që nga viti 2018 tha se nuk pajtohej me vlerësimin pozitiv për të njëjtin me Komisionin Evropian (KE), ndaj çka pakkush beson në përplasjen zyrtare mes KE-së dhe grupit të vendeve të drejtuara nga autoritetet franceze kundër heqjes së vizave për banorët e izoluar të Kosovës, të vetmit në rajonin ballkanik.

Kryeministri i Kosovës është dhëndër i Norvegjisë. Për të mësuar se si mund të forcohet Kosova ekonomikisht pa hyrë fare në BE, si edhe Norvegjia, Albin Kurti do të duhet të angazhojë këshilltarë norvegjez me përvojë, pra miqtë e tij familjar, se si kjo mund të bëhet, për ta shpëtuar Kosovën nga modeli i Bosnjës.

Shkruan Ekrem Krasniqi, Bruksel

Postimet lavdëruese të sotme nga ambasadorët e dy vendeve (Francë dhe Gjermani) në Kosovë nuk janë asgjë më pak se një nisje e heshtur e një fushate që të dy vendet, veçanërisht Franca, pas rizgjedhjes shumë të mundshme të Emmanuel Macron në maj për edhe një mandate kryetari, janë gati të ofrojnë fundin e regjimit të vizave nga BE për Kosovën në këmbim të një autonomie (entiteti) serb, një kamuflazh e llojit të tyre dhe jashtëzakonisht brutal i 27 shteteve anëtare dhe i mbështetur nga qeveria e Joe Biden-it, përmes Asociacionit të premtuar të Komunave Serbe (ASM).

E kam shkruar edhe në Korrik të vitit të kaluar se pas zgjedhjeve në Francë, karota dhe presionet për heqje vizash e premtimet për « integrime evropiane » në shkëmbim të kompromiseve të rrezikshme pritet që të testojnë “muskujt” e tashëm të Kryeministrit Albin Kurti dhe besnikërinë e elektoratit të LVV-së ndaj tij, e mbi të gjitha edhe dëshirat e krejt shqiptarëve të Kosovës dhe politikanëve të tyre për një shtet funksional për t’i shpëtuar modelit të një Bosnjë të dytë të paralizuar dhe rrezikut të shkatërrimit për nga brenda të shtetit të Kosovës.

Zgjedhjet në Gjermani kaluan. Edhe zgjedhjet e dyfishta në Serbi (në Prill) do të kalojnë.
do të vjen muaji maj i zgjedhjeve në Francë. Do të ketë një raund të dytë dhe Macron pritet që të jetë fitues.

Pas kësaj oferta për heqje vizash do të tingëllojë qartë dhe fuqishëm në veshët dhe sytë e qytetarëve të Kosovës përmes deklaratave tinzare të zyrtarëve të shteteve anëtare të BE-së, kryesisht nga Franca dhe Gjermania. Kësaj do t’i bashkëngjiten edhe Danimarka, Holanda e dhe shtete të tera që deri më tash më butë se Franca janë deklaruar se kanë mospajtime me vlerësimet pozitive të KE-së që nga viti 2018.

Në muajin maj, me kolegun tim të euobserver.com, Andrew Rettman, kemi gjetur nga diplomatë të vendeve anëtare të BE-së, se zyra e Josep Borrelit dhe Miroslav Lajcakut dhe ministria e jashtme gjermane tashmë ishin koordinuar për këtë joshje dhe presion me çështjen e vizave në të njëjtën kohë, por me një ritëm të butë dhe mundësisht sa më larg opinionit publik deri më tash.

Lavdërimet që sot ambasadori gjerman dhe francez i bënë Kosovës duke përdorur raportin e TI-së, është shenja e parë publike se Franca është duke ndërruar gradualisht qëndrim zyrtar publik për atë që deri më tash thoshte, se Kosova duhet ende të bëjë më shumë në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Me ndërrimin e qeverisë gjermane, CDU më nuk është në pushtet, ministri i brendshëm (Horst Seehofer) i së cilës, asnjëherë nuk e kishte përkrahur vlerësimin e KE-së, sepse kjo parti ishte keq në anketat për zgjedhjet që po afroheshin në fund të Shtatorit 2021.

Social-Demokratët gjermanë (SPD), e kishin dhe e kanë ministrinë e jashtme tash, dhe në qeverinë e re gjermane tashmë askush nuk është kundër heqjes së vizave, por koha është me rëndësi se kur duhet koordinuar qëndrimet e përbashkëta me Francën tash kur pengesa e ish-ministrit të brendshëm gjerman (CDU) nuk është më.

Gjermania, Franca dhe BE si organizatë, tash dhe pas fitores së Macron do të jenë në ofensivë të madhe të karotave dhe presionit me liberalizim të vizave dhe do t’i shkaktojnë Kurtit, LVV-së dhe Vjosa Osmanit telashe përmes ofertës me heqjen e vizave në shkëmbim të krijimit të asociacionit për komunat serbe, të cilën Kurti krejt kohën sa ishte në opozitë e quante Zajednicë dhe e kundërshtonte çdo lloj versioni të saj. Kundër AKS-së ka votuar në 2013 Vjosa Osmani si deputete, përderisa Kurti dhe VV hidhnin gaz lotsjellës dhe nuk votuan fare.

Joshjes e presionit për heqje vizash do t’iu shtohen edhe premtimet e mëdha dhe më të shpeshta se deri më tash se kompromisi ia hap Kosovës dyert për “integrime evropiane”, fushatë kjo që po mbështetet tash dhe do të mbështetet edhe më fuqishëm dhe në mënyrë më aktive edhe nga qeveria e SHBA-ve, do të bëjë që një pjesë e elektoratit të Kurtit e Osmanit do të ndodhen në udhëkryq dhe në hamendje të madhe, po aq edhe sa elektorati i partive opozitare.

Sa më shumë që kjo ofensivë e dyfishtë publike do të shtohet, aq më shumë kjo pjesë të të dy palëve do t’i kushtojnë më shumë rëndësi të mirave të heqjes së vizave nga BE sesa rrezikut të themelimit të Asociacionit, përkatësisht do të fillojë të injorojë rrezikun e shndërrimit gradual të Kosovës në Bosnjë të dytë të paralizuar dhe do të kërkojë kompromis me Serbinë vetëm e vetëm për të fituar heqjen e vizave dhe vazhduar ëndrrën e « integrimeve evropiane ».

Përmes ofertës së heqjes së vizave sidomos do të testohen edhe krejt qytetarët e Kosovës nëse e duan më shumë një Kosovë funksionale apo shëtitjen e përkohshme 3 mujore nëpër zonën Schengen dhe kërkimit të ndonjë vendi pune ilegale apo legale.

Pos kësaj, të gjithë në Kosovë, qytetarë dhe politikanë në të njëjtën kohë do të testohen edhe nëse e duan më shumë një Kosovë si shtet funksional apo një Kosovë të çaluar me premtimet për ‘integrime evropiane » të cilave askush nuk ua di fundin.

E kam thënë publikisht së fundi edhe në një studio të një televizioni me 9 Dhjetor, se associacioni i cili është hapi i parë i madh drejt shndërrimit të Kosovës në një Bosnjë të dytë në rajon. Shpejtësia e tij do të rritej kur Serbia të hynte në BE, pas një marrëveshje eventuale me Kosovën, dhe do të merrte fuqinë e vetos për të torturuar Kosovën në rrugën e premtuar të saj për anëtarësim. Shndërrimi i Kosovës në një Bosnjë të dytë, apo edhe në ndonjë model të ngjashëm të paralizuar dhe jofunksionale në shkëmbim të hyrjes në bllokun evropian NUK IA VLEN.

Kurti, Osmani dhe krejt politikanët e Kosovës gabojnë shumë kur thonë se hyrja në BE nuk ka alternativë.

Më duhet të përkujtoj zëshëm, se Norvegjia, Islanda, Zvicra e tash edhe Britania e Madhe kanë zgjedhur të vazhdojnë jetën pa qenë anëtare të BE-së. Këtu mund të shtojmë edhe rastin e Taiwanit i cili nuk është anëtar i OKB-së.

Kryeministri i Kosovës është dhëndër i Norvegjisë. Për të mësuar se si mund të forcohet Kosova ekonomikisht pa hyrë fare në BE, si edhe Norvegjia, Albin Kurti do të duhet të angazhojë këshilltarë norvegjez me përvojë, pra miqtë e tij familjar, se si kjo mund të bëhet, për ta shpëtuar Kosovën nga modeli i Bosnjës.

Krejt këto alternativa dhe zgjedhje rrugësh janë në duart e qytetarëve të Kosovës dhe u takon atyre zgjedhja që e duan ata përmes organizimit të referendumeve, të cilat Kurti dhe Osmani duhet t’ua mundësojnë me ligj votuesve të tyre dhe të opozitës, pra krejt qytetarëve të Kosovës.

E deri atëherë, pra deri në vendimet e mëdha përmes referendumeve, qeveria e tashme e Kosovës dhe të tjera pas saj duhet që ta përqendrojnë pjesën më të madhe të punës dhe kohës në tërheqjen e investimeve të huaja, forcimin e sektorit privat, rritjen e prodhimit, zvogëlimin e importit, rritjen e eksportit, pra forcimin e ekonomisë, rritjen e buxhetit të shtetit, forcimin e FSK-së… sepse më këtë trend të dobësisë ekonomike dhe trajtimit të vetes, por edhe nga BE dhe SHBA si rast humanitar, rezultati i referendumit në fjalë do të ishte në dëm të funksionalitetit të shtetit të Kosovës deri në paralizimin dhe shkatërrimin e tij gradual atëherë kur Serbia do të hynte në BE dhe do të përdorte veton bllokuese brenda BE-së deri sa ta shndërronte Kosovën ashtu siç e do ajo vet : në një shtet të shkatërruar dhe dështuar me vulën e vet shqiptarëve.

Nuk mund ta përfundojë këtë shkrim pa bërë thirrje përsëri : gjatë gjithë kësaj kohe dhe paralel me përpjekjet në ekonomi dhe investime të huaja, Kurti, Osmani dhe Kuvendi i Kosovës duhet që të kërkojnë llogari edhe nga BE e SHBA pse krye-prokurori Jack Smith nuk po merret me vrasësit serbë që shëtitën të lirshëm në Serbinë e Vuçiçit e nuk ndodhen në gjykatën speciale në Hagë.

Smith duhet që të detyrohet të ngre aktpadi për pjesëtarët e forcave serbe që kryen krime lufte në Kosovë dhe Serbia duhet që të detyrohet t’i dërgojë ata në këtë gjykatë.

Nëse BE dhe SHBA nuk duan t’ia ndërrojnë mendjen Smithit dhe Vuçiçit për këtë, dialogu në Bruksel duhet që të ndërpritet deri sa kjo të ndodhë.

Mjaft më, me nëpërkëmbjen e dinjitetit të qytetarëve të Kosovës dhe përbuzje t£ë shtetit të Kosovës.

(Autori është themelues i agjencisë së lajmeve në gjuhën angleze dtt-net.com për çështje të Ballkanit dhe BE-së)