Kosovë

Foto e vjetër: Presidenti Ibrahim Rugova, senatori Dol dhe gazetari i Zërit të Amerikës

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e mikut të madh të Shqiptarëve, Senatorit Robert Dole!

Shkruan: Shaqir Salihu, gazetar i Zërit të Amerikës
Robert Joseph Dole lindi më 22 korrik të vitit 1923. Politikan, burrë shteti dhe jurist që përfaqësoi shtetin e tij Kansas në Senatin Amerikan nga viti 1969 deri në vitin 1996. Ishte udhëheqës i Partisë Republikane në Senat gjatë 11 vjetëve të fundit të karrierës së tij, përfshirë 3 vjet si udhëheqës i shumicës republikane në Senat.

Shqiptarët e kanë për zakon të shfaqin mirënjohje pasi u plotësohen kërkesat ndaj atyre që i kanë ndihmuar në ditë të vështira. Mirënjohja është virtyt i popujve të qytetëruar, dhe cilësi fisnike edhe në traditën shqiptare. Shprehim mirënjohje të thellë për kontributin e çmuar dhe ndihmesën thelbësore për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, si dhe për lobimin në Senatin Amerikan në përkrahje të palëkundur të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

Senatori Dole, i cili ka luajtur rol të veçantë për të mobilizuar Kongresin dhe administratën amerikane në favor të Kosovës, thoshte se ushqente dashuri të veçantë për shqiptarët. Bob Dole ka qenë i emëruar si kandidat për president nga Partia Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996. Ai ishte vërtet njeri fisnik. Rasti më tipik që dëshmon fisnikërinë e tij ndaj shqiptarëve të Kosovës ka ndodhur gjatë përballjes në fushatën zgjedhore ndaj Demokratit Bill Clinton, kur vetë Senatori Bob Dole, që garonte nga republikanët u tha shqiptarëve: “Mos votoni vetëm për mua, por përkrahni edhe krahun tjetër se do t’u duhet!” Kurse më vonë Dole tha: “Unë garova për president dhe humba. Por, i fitova thuajse të gjitha votat e shqiptarëve.”

Senatori Dole ishin ndër të parët që u përpoq me vendosmëri, duke u rreshtuar në vijën e parë për të ndalur gjenocidin ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Ai bëri në Senatin Amerikan një lobim të fuqishëm për lirinë që meritonte Kosova dhe më pas për pavarësinë e saj. Bob Dole ka treguar vazhdimisht interesim të veçantë për Kosovën. Ai e ka vizituar Kosovën në vitin 1990 dhe ka qenë ndër zërat e parë dhe të paktë që kanë paralajmëruar se Kosovës po i afrohej lufta. Në vitin 1998, Bob Dole e ka vizituar përsëri Kosovën dhe ka tërhequr vërejtjen se qytetarët e Kosovës po përballeshin me krime e masakra të forcave serbe. Ai i ka bërë thirrje administratës së Presidentit Bill Clinton që të ndërmerrte veprime energjike për ndalimin e makinerisë luftarake serbe. Ai i ka sensibilizuar ligjvënësit e tjerë amerikanë që të kërkojnë që presidentit serb Sllobodan Millosheviq t’i dërgohej një mesazh i qartë për Kosovën, ashtu siç ishte vepruar më parë edhe në Bosnje. “Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është ndërlikuar. Në fakt, gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviqi”, shkruante asokohe senatori Dole.

Bob Dole ishte vetë veteran i Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte plagosur në luftë. Ndoshta kjo është arsyeja që ai ka qenë gjithmonë në krah të njerëzve që vuanin nga shtypja dhe kërkonin lirinë.

Në këtë kauzë, shqiptarët mbeten ndër miqtë e tij më të mirë, nga ata që nuk harrojnë. U prehtë në paqe Senatori Robert Dole! Ne shqiptarët i jemi mirënjohës për jetë. Unë pata nderin ta takoja disa herë, të shumtën e rasteve me Presidentin tonë legjendar, Ibrahim Rugovën.

Shaqir Salihu,

Washington DC