Forcat e Ukrainës po avancojnë “hap pas hapi” drejt Khersonit
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se forcat e tij po përparojnë “hap pas hapi” në qytetin jugor të pushtuar Kherson.
Sipas mediave të huaja, qyteti ra në duart e Rusisë në ditët e para të luftës dhe ndodhet në një vend strategjik në perëndim të lumit Dnipro.
Dhe të shtunën, zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar raportuan për luftime të ashpra pranë Khersonit.
Përparimi ukrainas nënkuptonte se linjat ruse të furnizimit në perëndim të lumit ishin “gjithnjë e më shumë në rrezik”, sipas vlerësimit të tyre.
Në fillim të këtij muaji, zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk u kërkoi banorëve të Khersonit të evakuonin qytetin sa më shpejt të jetë e mundur për të shmangur bllokimin në qytet gjatë një kundërofensivë në Ukrainën jugore.
“Është e nevojshme të bëhet kjo që Forcat e Armatosura të Ukrainës të mos rrezikojnë popullsinë civile gjatë operacioneve sulmuese”, tha ajo për televizionin shtetëror.
Ndryshe, forcat e Kievit kanë synuar kalimet e lumenjve në rajon në një përpjekje për të “bllokuar” linjat e furnizimit të Rusisë.
Të shtunën, një sulm artilerie goditi urën Daryivskyi mbi lumin Dnipro. Dhe të martën, ata shënjestruan Urën Antonovsky të Khersonit – një nga vetëm dy pikat e kalimit të kontrolluara nga Rusia – me artileri të furnizuar nga SHBA.Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar e kanë përshkruar më parë Urën Antonovsky si një “kyçe” për forcat ruse dhe të shtunën thanë se nëse “mohoheshin kalimet dhe forcat ruse në Kherson të pushtuar bllokoheshin, do të ishte një pengesë e rëndësishme ushtarake dhe politike për Rusinë”.
Ndërkohë, një këshilltar i lartë i mbrojtjes i Zelensky pretendoi se rreth 1000 trupa ruse në rajon janë rrethuar nga forcat ukrainase.
Oleksiy Arestovych tha se rusët ishin kapur në një “rrethim taktik” pranë fshatit Vysokopillya në rajonin Kherson. BBC nuk e ka verifikuar në mënyrë të pavarur këtë pretendim.
Rusia e pushtoi Khersonin me relativisht pak rezistencë në fillim të luftës dhe dështimi i shërbimit të inteligjencës së Ukrainës (SBU) për të shkatërruar pikat e kalimit mbi Dnipro përpara se të largohej nga qyteti besohet se ka çuar në shkarkimin nga Zelensky të drejtorit të agjencisë Ivan Bakanov.