Kosovë

Flamuri i Kosovës për herë të parë vendoset në komunë, betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut

Erden Atiq është betuar si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore.

“Unë, Erden Atiq, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.

Atiq në këtë seancë e ka emëruar edhe nënkryetaren e Komunës, që është Katarina Axhançiq nga radhët e komunitetit serb.

Kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljani, para betimit ka thënë se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit..

Atiq doli fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill ku pjesëmarrja ishte vetëm 3.47 për qind, dhe ai fitoi rreth 66 për qind të votave.

Zgjedhjet u mbajtën pasi që kryetarët paraprakë që vinin nga Lista Serbe, patën dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.

Flamuri i Kosovës vendoset në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut

Flamuri i Kosovës është vendosur në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Kryetari i Kuvendit Komunal, Nexhat Ulglanin ka paralajmëruar paraprakisht vendosjen e flamurit.

“Flamuri është brenda .. kemi kryer konsultimet me kryetarin edhe do të vendos kryetari bashkërisht me Kuvendin, edhe ne jemi të pajtimit që flamuri i Republikës së Kosovës, të vijon në institucionet e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Ulglanin.

09:29
Para betimit të kryetarit, situatë e qetë në Mitrovicë të Veriut

Para betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, situata atje është e qetë.

Ekipi i KOHËS që po qëndron atje ka raportuar se patrulla të Policisë së Kosovës janë vendosur në rrugët që qojnë te ndërtesa e Komunës si dhe rreth objektit.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes, Atiq, pritet të betohet pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill ku pjesëmarrja ishte vetëm 3.47 për qind, fitoi rreth 66 për qind të votave.

Tek objekti i komunës janë parë edhe policë të EULEX-it.

Para betimit të Atiqit, flasin zyrtarë nga Policia e Komuna

Shefi i operatives rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë së Veriut, majori Shkelzen Xhafa, ka thënë se Policia në bazë të autorizimeve që ka marr të gjitha masat e nevojshme në aspektin e sigurisë.

“Ne si Polici kemi vendosur zyrtarë policorë të rregullt që më shumë do të merren me çështjet e trafikut se nuk presim që të ketë ndonjë tension në këtë inaugurim. Fillimisht kontrollohet pjesa brenda. Kemi zyrtarë civilë brenda e rreth objektit. Nuk ka ngritje të masave të sigurisë. Të gjitha masat janë ndërmarrë sikur në çdo vend tjetër”, ka theksuar Xhafa, duke shtuar se do të mbështesin Komunën në aspektin e komunikacionit ose nëse ka nevojë për ndonjë gjë tjetër.

“Nuk kemi asnjë informatë apo indikacion që mund të prishet ky organizim”, është shprehur Xhafa.

Para fillimit të mbledhjes solemne ka folur edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin.

“Përgatitjet janë përfundimtare edhe pak ja nis mbledhja solemne. Shumë shpejt do të vjen kryetari. Sot do të vjen edhe deri te fuqizim i Komunës, deri më tash kemi kaluar një fazë shumë të vështirë, Tani bashkëpunimi i kryetarit dhe Kuvendit do të jetë në dobi të qytetarë”, ka deklaruar Uglanin, duke shtuar se sot do të zgjidhet edhe nënkryetarja e Komunës dhe se ajo do të jetë nga radhët e komunitetit serb.