Maqedoni

Flamuri amerikan valon pandërpre mbi “kalanë” gjashtëkatëshe në Haraçinë të Shkupit (Video)

“FLAMURI VALON NË SHENJË MIRËNJOHJE PËR SHBA-të POR EDHE SI AMANET NGA MIKU IM I NDJERË, MERGIMTARI NGA KËRÇOVA NË AMERIKË, XHEVAIR AJRO”

Sefer Asanin nga Haraçina gjithë bashkëfshatarët e njohin si njeri të qetë, të sinqertë dhe të zellshëm. Njësoj e njohin edhe kolegët e punës në Aeroportin e Shkupit, por edhe shumë udhëtarë që kanë kaluar në këtë aeroport, të cilëve u ka ndihmuar në kuadër të mundësive të tij, por edhe jashtë mundësive, kur një gjë të tillë ia kanë lejuar obligimet e punës.

Veç tjerash ai njihet edhe si pronar i njërës prej shtepive më të larta në Haraçinë.
“Kalaja” e tij gjashtë katëshe nuk është ndoshta shtëpia më e shtrenjtë e as më e bukur në këtë fshat, por për të flasin shumë njerëz.

Ajo që e veçon këtë shtëpi nga të tjerat është flamuri amerikan që valon mbi të, në katin e gjashtë.

“Është flamur që ka ardhur si dhuratë nga Uashingtoni. Është flamur përmes të cilit unë dhe familja ime shprehim mirënjohje për shtetin amerikan dhe ndihmën për shqiptarët”, thekson Sefer Asani për Lideri.mk, gjatë bisedës me gazetarin tonë.

Mbi të gjitha, flamuri amerikan në katin e gjashtë mbi shtëpinë e tij, ka edhe një peshë emocionale për Seferin.

“E kam amanet nga miku im i ndjerë nga Kërçova në Çikago, Xhevair Ajroja që kur të ndërtoj shtëpi, flamurin amerikan ta valoj mbi kulmin e shtëpisë. Xhevairi ishte një patriot i madh, aktivist i madh i diasporës shqiptare në Amerikë, që njihej me figura të fuqishme të politikës amerikane, siç ishte ish sekretarja e shtetit Medlin Ollbrajt. Xhevairi nuk është më në mesin tonë, por amanetin e tij nuk e harroj. Ky flamur është në shenjë respekti për amanetin e Xhevairit, për miqësinë time të sinqertë me të, por i kushtohet edhe veprimtarisë së tij kombëtare. Xhevairi sot e kësaj dite i mungon edhe diasporës sonë në Amerikë, por edhe vendlindjes”, thotë Seferi për Lideri.mk, duke sqaruar shkakun kryesor pse flamuri amerikan valon mbi shtëpinë e tij.

Xhevair Ajro, aktivisti i madh i diasporës shqiptare bashkë me sekretaren Ollbrajt

Përveç flamurit amerikan që valon me krenari mbi shtëpinë e tij, Sefer Asani edhe mbi matin më të lartë të shtëpisë e ka vendosur stemën amerikane.

“Dua që simboli amerikan të shihet mbi shtëpinë time edhe nga toka edhe nga qielli”, thotë Seferi në fund të bisedës së tij për mediumin tonë. (Lideri.mk)