Fitore bindëse – Jakov Millatoviq, presidenti i ri i Malit të Zi
Kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka fituar rreth 60.2 për qind të votave në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kurse kundërkandidati i tij, presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, ka marrë rreth 39.8 për qind, treguan rezultatet preliminare të 90 për qind votave të numëruara, sipas parashikimeve të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).
Sipas të dhënave të kësaj qendre, 71 për qind e votuesve votuan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, apo rreth 383.3 mijë votues.
Të drejtën për të votuar për njërin prej tyre kishin 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues.
Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka uruar Millatoviqin për fitoren.
Ai ka shkruar në Twitter se “Mali i Zi ka një të ardhme të ndritur!” dhe se “do të punojmë së bashku për një shtet evropian, civil dhe ekologjik”.
Kush është Jakov Millatoviq?
Jakov Millatoviq u lind në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në dhjetor të vitit 1986. Ishte po ai vit që Gjukanoviqi iu bashkua presidencës së Lidhjes Socialiste të Rinisë së Jugosllavisë, që më pas i shërbeu si trampolinë për postin e presidentit dhe kryeministrit në periudhën postkomuniste dhe pas pavarësisë së Malit të Zi.
Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Millatoviq kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA, dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Ai mori diplomën në nivelin master në ekonomi në Oksford.
Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.
Më pas, në zgjedhjet e vitit 2020 ai fitoi një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi, ku fitoi shumica pro-serbe dhe pro-serbe ortodokse dhe grupime të tjera, zgjedhje këto që çuan DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë, për herë të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve shumëpartiake në vitin 1990.
Pothuajse një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë, dhe rreth dy e treta adhurojnë krahun lokal të Kishës Ortodokse Serbe. Tensionet me Beogradin janë ulur gjerësisht që kur Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia më 2006, por çështjet lidhur me identitetin kombëtar të Malit të Zi dhe kulturën e përbashkët janë ende pika të nxehta të debatit.
Millatoviq la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në Qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe ishte një prej “12 dishepujve” – ashtu siç i kishte quajtur Krivokapiq – në Qeverinë që u formua në negociatat e përcjella nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe. Negociatat për koalicionin qeverisës u mbajtën në Manastirin Ostrog, për të vënë në pah kredencialet pro-serbe dhe pro-kishës të Qeverisë së formuar.
Në Qeveri, Millatoviq shumë shpejt iu bashkua edhe ministri i Financave, Millojko Spanjiq.
Që të dy shumë shpejt treguan se kishin aftësi të fitonin simpatinë e populistëve.
Spajiq dhe Millatoviq ishin arkitektë të një skeme stimuluese dhe të reformave që pjesërisht rritën pagat, duke hequr kontributet nga skema e kujdesit shëndetësor në mes të pandemisë së koronavirusit. E quajtur si “Evropa Tani”, plani tregoi rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale – nga 222 euro në 450 euro – dhe duke rritur pagën mesatare nga 530 euro në 670 euro.
Kritikët kanë thënë se këto veprime ranë ndesh me premtimin e Millatoviqit se Qeveria ishte e “përkushtuar për reforma strukturore” dhe këto vendime dëmtuan aspektin financiar të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe e bënë shtetin të cenueshëm ndaj një “skenari grek” të falimentimit. Millatoviq për dështimin e reformave ia ka lënë fajin mungesës së vullnetin politik, që sipas tij ka penguar po ashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Por, nisma Evropa Tani u dha mbështetje të madhe popullore të dy nismëtarëve të saj.
Duke kritikuar ashpër epokën e Gjukanoviqit, Millatoviq u mburr se “kjo është rritja e parë e rëndësishme e standardit të jetesës [në Mal të Zi] në 30 vjetët e fundit”. Ai sugjeroi po ashtu se shteti mund të arrijë të ketë “një pagë mesatare [mujore] prej 1.000 eurosh në një periudhë të shkurtër kohore”.
Qeveria Krivokapiq nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit në shkurt të vitit 2022. Mocioni u ngrit pas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë më 1995 nga një ministër malazez. Megjithatë, kjo Qeveri qëndroi në detyrë deri në prill të atij viti.
Në qershor të vitit 2022, Spajiq si kryetar dhe Millatoviq si zëvendës i tij, krijuan një parti të re politike, të përshkruar si centriste, pro-BE-së me agjendë kundër korrupsionit, të quajtur Lëvizja Evropa Tani.
Në tetor të vitit 2022, me Millatoviqin që udhëhiqte listën e partisë së tij, Evropa Tani në Podgoricë – qytet ku jeton një e treta e banorëve të Malit të Zi – fitoi 21 për qind të votave, duke premtuar se do të modernizojë fuqinë punëtore dhe do të sjellë prosperitet ekonomik.
Spajiq, që është serb, njoftoi për planet e tij për të sfiduar Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, por pjesëmarrja e tij në garën presidenciale u pengua për shkak se adresa e tij zyrtare e banimit për një kohë të gjatë ka qenë në Serbi dhe për shkak të dyshimeve se ka shtetësi të dyfishtë.
Por, Millatoviq shpejt zuri vendin e tij dhe garoi në zgjedhje.
Si kandidat, ai ka përdorur përvojën e tij në ekonomi dhe ka mbështetur rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, që është ngadalësuar për shkak të dështimit të reformave dhe lodhjes nga procesi i zgjerimit nga anëtarët e bllokut.
Ai, po ashtu, në vazhdimësi ka kërkuar të ketë raporte të ngushta me Serbinë.
Kundërkandidati i tij, Millo Gjukanoviq, udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi, ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.
Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.
Rregullsia e procesit zgjedhor do të monitorohet nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik.
REL