Fillon investimi i 35 milionë eurove në Universitetin “Nënë Tereza”, sivjet 5 milionë euro
Zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, zhvilloi sot një takim të rëndësishëm me rektorin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Izet Zeqiri, ku u diskutua për prioritetet e arsimit të lartë dhe planet për zhvillimin e këtij institucioni akademik.
Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua programeve studimore që planifikohen të ofrohen në këtë universitet. Këto programe synojnë të përputhen me nevojat e tregut të punës dhe të përforcojnë rolin e Universitetit “Nënë Tereza” si një qendër e arsimit cilësor dhe inovativ në vend.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte mbështetja financiare nga qeveria për Universitetin “Nënë Tereza”. Zëvendësministri Aliu konfirmoi ndarjen e një buxheti prej 35 milionë eurosh për këtë universitet, një investim që do të shtrihet në disa vite. Për vitin 2025, janë parashikuar të ndahen afro 5 milionë euro, të cilat do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe fuqizimin e kapaciteteve kërkimore.
Rektori Zeqiri shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për të garantuar një arsim më të mirë për studentët. Ai theksoi se këto investime do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë akademike dhe do të ndihmojnë universitetin të tërheqë më shumë studentë dhe staf akademik të kualifikuar.