Filloi hartimi i Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë
Sot në kuadër të mbledhjes së 102-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u diskutua edhe për planin e Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e rrugës që lidh Prizrenin dhe Tetovën.
“Iniciuam hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë”, sqarojnë nga Qeveria.
Ndër të tjera, Qeveria themeloi Këshillin Organizativ për shënimin e 110-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor.
Ish-kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, vlerësoi që distanca ndërmjet këtyre dy qyteteve do të bëhet gjysmë ore. Në një raportim të zv.kryeministrit të infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi, theksohet që pjesë e kësaj rruge do të jetë edhe tuneli 6.4 kilometra.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti gjatë fushatës parazgjedhore më 2 tetor të vitit 2019 kishte premtuar se planifikojnë hapjen e një tuneli që lidhë qytetin e Prizrenit me atë të Tetovës.
“Zotohem para jush që si Kryeministër i Kosovës, në takimin e parë me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut do të inicioj nisjen e projektit të lidhë Prizrenin me Tetovën. Një pjesë të punës duhet ta kryej Kosova dhe pjesën tjetër Maqedonia”, deklaroi Kurti.