Filipçe paralajmëron: Nga shtatori mësimi mund të filloj me prani fizike
20 mijë mësimdhënësit të cilët nuk u përfshinë në fazën e parë të vaksinimit, pritet të vaksinohen javët në vijim me ardhjen e sasive të reja të vaksinave. Me këtë sipas ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe nxënësit mund të kthehen në shkollë nga shtatori por me protokolle të caktuara të cilat do të dalin nga grupet e punës së ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë.
Mendoj se po, duhet të fillojë mësimi nga shtatori. Protokollet përfshijnë mbajtjen e distancës mos përzierje të grupeve, ajrosje të shpeshta të klasave dhe këtë si përvojë e kishim më herët. Këta janë rekomandimet gjithkund në botë – deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Gjatë dy javëve të ardhshme pritet të rrumbullakohen të gjitha protokollet në bazë të të cilave pritet të zhvillohet mësimi.
Kanë mbetur vetëm edhe disa detaje që po i punojnë grupet e punës në kuadër ku marrin pjesë anëtarë të MASH-it dhe epidemiologët tanë nga Komisioni për sëmundje ngjitëse. Bëhet fjalë që fëmijët të jenë 100% prezent numri total i fëmijëve që janë në klasa , kështu bëhen protokollet me disa masa për dezinfektim, mos përzierja e klasave të ndryshme – tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Deri tani janë vaksinuar rreth 10,000 mësimdhënës të klasave nga e para deri në të tretën të cilët mësimin e kanë zhvilluar me prezencë fizike. Për momentin procesi i vaksinimit po zhvillohet me dinamikë të ngadaltë si pasojë e mungesës së vaksinave, ndërkaq dinamika pritet të rritet gjatë javës së ardhshme me arritjen e sasive të reja të vaksinave, ku në bazë ditore është paraparë të vaksinohen deri në 20.000 qytetarë.