Filipçe: Jam kundër idesë për krijimin e një Akademie paralele të Shkencave dhe Arteve
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe ka reaguar pas takimit të djeshëm të krerëve të katër komunave që udhëhiqen nga VLEN me Shoqatën e akademikëve shqiptarë, përcjell TV21. Filipçe thekson se kategorikisht LSDM-ja është kundër krijimit të akademisë shqiptare të arteve dhe shkencës, ndërsa thekson se do të përdorin të gjitha mekanizmat nëpër komuna, për ta bllokuar financimin e së njëjtës.
“Jam i shqetësuar dhe e kundërshtoj kategorikisht idenë e krijimit të një Akademie të re paralele të Shkencave dhe Arteve. Është precedent krijimi i institucioneve “etnikisht të pastra”, dhe e njëjta ide ishte hedhur poshtë pa mëdyshje më parë nga akademikët aktualë. LSDM nuk do të përkrah asnjë paralelizëm të institucioneve. Shkenca nuk duhet të etnizohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast. Për LSDM-në dhe për mua si kryetar, ky është një mesazh politik tendencioz që i shërben vetëm synimeve për të nxitur përçarje që sjellin dëme të mëdha për qytetarët dhe shoqërinë. Më vjen keq që VMRO-DPMNE-ja hesht ndaj kësaj ideje dhe kështu e aprovon. LSDM do të kundërshtojë me të gjitha mekanizmat në dispozicion nëpër komuna që do ta financojnë këtë projekt”, ka shkruar Filipçe./tv21.tv