Rajon - Botë

Fidan: Nëse sulmet e Izraelit vazhdojnë, do të kërcënohet gjithë stabiliteti dhe paqja globale

Nëse sulmet izraelite në Rripin e Gazës vazhdojnë tutje, atëherë ato do të kërcënonin stabilitetin dhe paqen globale, tha sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.

Duke folur në Samitin e Paqes në Kajro të Egjiptit, Fidan tha se konflikti Izrael-Palestinë kërkon një mekanizëm të ri garancie dhe është e nevojshme të garantohen hapat e ndërmarrë nga palët për paqe të drejtë.

Türkiye nuk do të lejojë kurrë që vuajtjet e palestinezëve të vazhdojnë, shtoi ai.

“Nëse (sulmet izraelite) vazhdojnë, ato do të kërcënonin gjithë stabilitetin dhe paqen globale me një përshkallëzim gjeografik”, tha kryediplomati turk.

Samiti i Paqes në Kajro filloi me pjesëmarrje ndërkombëtare, arabe dhe të OKB-së për të diskutuar zhvillimet e fundit në konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës.

Sipas medias së Egjiptit, të paktën 31 vende dhe tri organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në Samitin e Paqes në Kajro.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.