Fetai: Javën e ardhshme, pr/ligj për përfaqësimin e drejt
Përderisa balancuesi mbetet i ngrirë nga Gjykatën Kushtetuese mbeten të pezulluara të gjitha punësimet e shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike në bazë të përfaqësim të drejtë dhe adekuat, edhe pse është kategori kushtetuese. Konkurset që janë në rrjedhë stopohen, ndërsa procedura mund të vazhdojë vetëm për konkurset që kanë përfunduar të gjitha fazat e përzgjedhjes së kandidatëve. Deri në një vendim përfundimtar të kushtetueses për balancuesin, që nuk dihet se kur do të jetë, përfaqësimi do të jetë “status quo”. Shfuqizimi i Balancuesit, ishte në programin parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së, i cili më pas u bë program i Qeverisë. Edhe përkundër qëndrimit të partisë së Mickoskit se Ligj nuk ka dhe se përfaqësuesit e VLEN-it e kanë ngatërruar atë me Komisionin parlamentar për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, VLEN thekson se ligji është gati. Zëvendëskryeministri nga radhët e këtij koalicioni, Arben Fetai në një intervistë për Alsat tha se javën që vjen do të nisë debati publik për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
– Advertisements –
“Ligjin për Përfaqësim të drejt dhe adekuat e kemi pjesë të marrëveshjes së koalicionit me VMRO-DPMNE-në. Ky projektligj në këtë fazë është gati. Do të shihni javën e ardhshme se do të nisim një debat publik në lidhje me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejt dhe adekuat, i cili do të eliminojë mundësitë e abuzimeve me deklarata të rrejshme të përkatësisë kombëtare, ndërsa do të krijojë mekanizma zbatimi, që janë detyrimore për institucionet”, tha Arben Fetai, zv.kryeministër, VLEN..
A është i njoftuar Mickoski se keni ligj gati. Sepse ai thotë se nuk ka ligj?
“Kryeministri Mickoski natyrisht se është i njoftuar se ne kemi projektligjin në dorë dhe se jemi gati ta nisim procedurën për parlamentare që javën e ardhshme”, shtoi Arben Fetai, zv.kryeministër, VLEN.
Ndërkohë lidhur me dështimin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese në 3 muajt e parë të qeverisjes, Fetai tha se shpreson se deri në fund të vitit procedura do të mbyllet me qëllim që vendi të mos mbetet në trenin e fundit sa i përket integrimit në BE./Alsat.mk